Publikohet formacioni i Kosovës U21 në ndeshjet kundër Andorës dhe Turqisë

Ekipi kombëtar i Kosovës U21 do të ndeshet më 6 qershor me ekipin e Andorës si mysafire, ndërsa më 11 qershor do ta presë në shtëpi përfaqësuesen e Turqisë

Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë publike listën me lojtarët e ftuar në ekipin kombëtar për grupmoshën nën 21 vjeç (Kosova U21) për dy ndeshjet që do të zhvillohen në muajin qershor kundër ekipit të Andorës dhe atij të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Trajneri i Kosovës U21, Rafet Prekazi, zbuloi listën e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e radhës që do të luhen në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2021.

Ekipi kombëtar i Kosovës U21 do të ndeshet më 6 qershor me ekipin e Andorës si mysafire, ndërsa më 11 qershor do ta presë në shtëpi përfaqësuesen e Turqisë.

Përzgjedhësi i kombëtares Prekazi tregoi se risi në këtë listë janë gjashtë lojtarë të rinj të lindur në vitin 2000.

“I vetëdijshëm jam që do ta kem pak problem për sa i përket komponimit të skuadrës, por kjo është puna e trajnerit. Do të mundohem ta jap më të mirën”, tha Prekazi në konferencë për media.

Prekazi u shpreh optimist, duke thënë gjithashtu se “koha punon për futbollin e Kosovës”.

Kombëtares së Kosovës U21 sot i është bashkuar zyrtarisht edhe futbollisti Arton Zekaj. Ai është pjesë e skuadrës franceze Lille, ndërsa si futbollist u rrit në akademinë e Partizanit të Beogradit, ku ishte pjesë e Përfaqësueses së Serbisë për grupmoshat U15, U16 dhe U17.

“Për mua është krenari e madhe që e kam zgjedhur Kosovën dhe që do ta veshë këtë fanellë, pasi në këtë mënyrë do t’i bëj krenar prindërit e mi, familjen time dhe krejt popullin e Kosovës, e gjithashtu edhe një njeri të madh që më nuk është në mesin tonë, legjendën Fadil Vokrri”, ka theksuar Zekaj, njofton FFK në faqen zyrtare të saj.

Kombëtarja e Kosovës U21 sot po ashtu i filloi përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2021 kundër Andorës dhe Turqisë. Stërvitjet janë mbajtur në stadiumin e Flamurtarit. Kosova bën pjesë në Grupin 3, ku krahas dy kundërshtarëve të ndeshjeve të qershorit janë të përfshira edhe Anglia, Austria dhe Shqipëria.

Lojtarët e ftuar nga FFK, për të marrë pjesë në këto dy ndeshje janë:

Florjan Smakiqi – “FC Feronikeli”, Flamur Gashi – “FC Liria”, Ardit Nika – “FC Flamurtari”, Ardit Miftari – “FC Arberia”, Leonat Vitija – “FC Keku”, Kreshnik Hajrizi – “BSC Young Boys”, Leard Sadriu – “KF Shkendija”, Lirim Kastrati – “FC Bologna”, Arbenit Xhemajli – “NE Xamax”, Lirim Mema – “FC Eintracht Braunschweig”, Besfort Kolgeci – “TSV Havelse”, Fuad Rrahimi – “FC Wil 1900”, Roni Gashi – “KF Teuta”, Kreshnik Krasniqi – “Stromsgodset IF”, Donat Hasanaj – “FC Prishtina”, Eris Abedini – “FC Winterthur”, Ismet Lushaku – “Athletic Eskilstuna”, Gentrit Limani – “Vfl Bochum”, Blend Baftiu – “FC Ballkani”, Lirim Kastrati – “NK Lokomotiva Zagreb”, Alfred Ajdarevic – “IFK Varnamo”, Ardit Gashi – “LR Vicenza Virtus”, Arbnor Muja – “FC Eintracht Braunschweig”, Jetmir Topalli – “FC Ballkani” dhe Mirlind Daku – “NK Osijiek”.