Protestë në Prishtinë, kërkohet dorëheqja e kryeprokurorit Lumezi

Rreth një mijë qytetarë u mblodhën sot në protestën e dytë me radhë në organizim të një grupi të qytetarëve nën moton "Shkarkim kryeprokurorit - Veting Gjyqësorit"

Rreth një mijë qytetarë u mblodhën sot në protestën e dytë me radhë në organizim të një grupi të qytetarëve nën moton “Shkarkim kryeprokurorit – Veting Gjyqësorit” me kërkesën kryesore për shkarkimin e Aleksandër Lumezit nga pozita e kryeprokurorit të shtetit të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Qytetarët mbanin pankarta me mbishkrimet “Nuk ka shtet, pa gjyqësor të pavarur”, “Lumezi, ik”, dhe brohoritën slogane “Me hajdutë nuk ka shtet”, “Hajdutët në burg” dhe të tjera. Pasi janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, protestuesit kanë marshuar deri tek Zyra e kryeprokurorit Lumezi ndërsa më pas edhe deri tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Në emër të organizatorit para qeverisë foli Shkëlzen Gashi i cili tha se shkarkimi i Lumezit kërkohet për shkak se ai ishte emëruar politikisht dhe për shkak se ai është ka ndërhyrë drejtpërdrejt në punën e Prokurorit Special Elez Blakaj, i cili ka punuar në rastin e keqpërdorimit me listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gashi tha se kërkohet edhe zbatimi i Vetingut ose verifikimi i gjyqësorit, që do të thotë shqyrtimin e vendimeve të figurave kryesore të gjyqësorit, prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe verifikimin e pasurisë së tyre.

“Kërkesa jonë e tretë është pastrimi i listës të mijëra veteranëve të rremë dhe mashtruesve të cilët dëmtojnë buxhetin e Kosovës për miliona euro. Për këtë, ne kërkojmë përkrahje, në radhë të parë, nga veteranët e vërtetë”, tha Gashi.

Gjithashtu kërkohet edhe aktakuzë kundër anëtarëve të Komisionit për verifikimin e veteranëve dhe invalidëve të luftës, përfshirë këtu edhe ministrin e tanishëm të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe zëvendësin e tij Agim Çeku, i cili siç ka theksuar kryeministri Ramush Haradinaj, duhej të ishte shkarkuar kohë më parë.

Para të pranishmëve u adresua edhe Igballe Rogova, një aktiviste për të drejtat e grave, e cila tha se është turp që zyrtarët e lartë politikë nuk flasin publikisht për ndërhyrjen në punën e gjyqësorit.

“Kryeministri thotë hajduti. Kush është hajduti? Për prokurorin i cili mbron paratë publike thotë se është hajdut. Pastaj, ky tjetri që prezantohet si politikan modern, Veseli, e quan prokurorin frikacak. Por, ky prokurori ka pasur guxim të flasë”, tha Rogova.

Protestat do të vazhdojnë, siç theksohet, deri në përmbushjen e kërkesave.

Protesta e sotme u mbështet edhe nga organizatat e shoqërisë civile nga Kosova, Institutit Demokratik i Kosovës, Demokracia Plus, Instituti Gjyqësor i Kosovës, Gap, Lëvizja “Fol”, KIPRED dhe Organizata “Çohu!”.

“Për shkak të dorëheqjes së ish-Prokurorit Special, Elez Blakaj, ne, organizatat e shoqërisë civile mbështesim plotësisht protestat e organizuara nga një grup qytetarësh për shkarkimin e Kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumesz. Letra e z. Blakaj sinjalizon integritetin e dobët të sistemit gjyqësor, dhe posaçërisht zyrën e prokurorit të shtetit për ndërhyrje politike, shantazh dhe kërcënime, që gjithashtu vjen nga Kryeprokurori i Shtetit. Ndërhyrja e Kryeprokurorit Lumezi që figurat e larta politike të shmangin procesin e drejtësisë është alarmante për drejtësinë në Kosovë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga organizatat e shoqërisë civile.