“Protestë e qetë nga komuniteti serb në Kosovë”

"Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planifikimeve policore, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike", thuhet në njoftim

 Policia e Kosovës ka njoftuar se në disa lokacione të ndryshme të Kosovës, të banuara kryesisht nga komuniteti serb, janë mbajtur protesta kundër zhvillimeve të fundit në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestat e mbajtura sot në disa lokacione të ndryshme të vendit si, në Graçanicë, Shtërpcë dhe në disa lokacione në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestave”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Duke bërë të ditur se Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi”, në komunikatë thuhet se “Protestat kanë filluar rreth orës 12:00 dhe kanë përfunduar rreth orës 13:00, përderisa gjatë kësaj periudhe kohore në disa rrugë ku është mbajtur protesta në Veri, qarkullimi i automjeteve ka qenë i ndërprerë përkohësisht”.

PK bën të ditur se protestat kanë qenë të qeta dhe se pas shpërndarjes së protestuesve rrugët janë liruar për qarkullim të automjeteve.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planifikimeve policore, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike”, thuhet më tej në njoftim.

Kujtojmë se protestat në fjalë erdhën pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritje të taksës për 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina si dhe operacionit të kryer sot në veri të Mitrovicës nga Policia e Kosovës në lidhje me vrasjen e liderit serb nga Kosova të nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, me ç’rast janë arrestuar katër persona të komunitetit serb, dy prej tyre zyrtarë policorë.