Promovohet festivali “TEKNOFEST 2020” në Prishtinë dhe Shkup

Sot u prezantua programi lidhur me aplikimet për pjesëmarrje në Festivalin e Aviacionit, Hapësirës dhe Teknologjisë - TEKNOFEST, i cili këtë vit do të organizohet për herë të tretë në Turqi...

Sot në Shkup u prezantua programi lidhur me aplikimet për pjesëmarrje në Festivalin e Aviacionit, Hapësirës dhe Teknologjisë – TEKNOFEST, i cili këtë vit do të organizohet për herë të tretë në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Festivali organizohet nga Fondacioni i Ekipit të Teknologjisë (Fondacioni T3) të Turqisë dhe Instituti Yunus Emre nën kujdesin e Presidencës së Turqisë, ndërsa mbështetet edhe nga Projekti i Bashkëpunimit Akademik dhe Shkencor të Turqisë (TABIP),

Në programin promovues, i cili u mbajt në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), morën pjesë ambasadori turk në Shkup Hasan Mehmet Sekizkök, ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, ministri pa resor përgjegjës për investimet e jashtme, Elvin Hasan, anëtari i bordit drejtues të Fondacionit T3, Alper Güzel, drejtori i Institutit Yunus Emre-Shkup, Serhat Kula, përfaqësues të organizatave dhe institucioneve turke, profesorë dhe shumë të ftuar të tjerë.

Gjatë programit, ku studentët treguan interesim të madh, u shfaqën filmat promovues të përfatitur nga Instituti Yunus Emre dhe TABIP.

Në fjalën e tij, ambasadori Sekizkök tha se Fondacioni T3, i cili ka bërë hapa të rinj në fushën e aviacionit, hapësirës dhe teknologjitë e mbrojtjes, hap horizonte të reja për talentët e rinj me organizimin e TEKNOFEST-it.

Ai tha se edicioni i këtij viti i festivalit po u rekomandohet edhe të rinjve në rajonin e Ballkanit.

“Andaj, është e rëndësishme të ofrohen mundësi të mëdha në mënyrë që ata të hartojnë një udhërrëfyes në karrierën e tyre, por edhe për caktimin e përfaqësuesve teknologjikë të Turqisë në vendet ku gjenden”, tha Sekizkök.

“Formimi i ekipeve teknologjike me qasjen që mundësohet nga Republika e Turqisë për talentët e rinj në këtë vend, pra për ju, do të jetë në dobi të përbashkët për vendet tuaja”, shtoi ambasadori turk.

Ndërkaq, Alper Güzel nga Fondacioni T3 tha se TEKNOFEST është aktiviteti më i madh ndërkombëtar në botë në fushën e teknologjisë dhe aviacionit, ku do të organizohen gara shumë të rëndësishme, me të cilat synohet që studentët të arrijnë një zhvillim serioz në aspektin akademik dhe teknologjik

“Ne duam që vëllezërit tanë studentë të vijnë nga Maqedonia e Veriut në TEKNOFEST, t’i shfaqin punët dhe projektet e tyre”, tha Güzel.

Ministri Elvin Hasan e cilësoi projektin si shumë të rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se megjithëse vendi mund të jetë i vogël dhe nuk ka përjetuar “hapin e madh teknologjik”, të rinjtë mund të bëjnë hapa seriozë në procesin e industrializimit në vend.

“Turqia gjithmonë ka kontribuuar për të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut. Këtë po e shohim edhe një herë sot me promovimin e TEKNOFEST-it”, tha Hasan.

Drejtori i Instituti Yunus Emre-Shkup, Kula, deklaroi se këtë vit zyrtarët e TEKNOFEST-it kanë preferuar Ballkanin si pjesë e hapave për përhapje jashtë vendit.

Programe promovuese për festivalin që do të mbahet në Gaziantep të Turqisë, përveç Maqedonisë së Veriut, do të organizohen edhe në Kosovë dhe Shqipëri.

Aplikimet për pjesëmarrje në festival mund të bëhen në bashkëpunim me Institutin Yunus Emre deri më 28 shkurt.

Këtë vit do të organizohen gara të teknologjisë në 23 kategori, të tilla si inovacioni i bioteknologjisë, teknologjitë arsimore, projektimi i helikopterit, projektimi i motorit xhet, teknologjitë bujqësore, teknologjitë mjedisore dhe energjetike, transporti i zgjuar. Për të mbështetur projektet e mijëra të rinjve që punojnë në këto fusha, ekipet që kalojnë fazën paraeliminatore do të pajisen me mbështetje materiale në vlerë prej mbi 4 milionë lirash në total (rreth 600 000 euro).

Ndërkaq, ekipet që do të zënë vend të lartë në TEKNOFEST i presin çmime prej mbi 3 milionë lirash.

Vitin e kaluar në festivalin e mbajtur në Stamboll aplikuan gjithsej 17.373 ekipe dhe 50 mijë studentë nga 81 provinca të Turqisë dhe 122 vende të ndryshme të botës.

Edicioni i këtij viti mbahet në periudhën 22-27 shtator.

Prishtinë, promovohet festivali “TEKNOFEST 2020”

Në Prishtinë u prezantua programi lidhur me aplikimet për pjesëmarrje në Festivalin e Aviacionit, Hapësirës dhe Teknologjisë – TEKNOFEST, i cili këtë vit do të organizohet për herë të tretë në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitet morën pjesë drejtori i Fondacionit T3, Ömer Kökçam, kryetari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Turke të Kosovës dhe deputeti Fikrim Damka, deputetja Fidan Jilta, kryekonsulli i Turqisë në Prizren, Serdar Özaydın, drejtori i Institutit Yunus Emre për Kosovën, Mehmet Ülker dhe të ftuar të tjerë.

Ülker, në fjalën e tij tha se “TEKNOFEST është si një dritë e ndezur ndaj të ardhmes sonë”.

“Ashtu si ka theksuar presidenti ynë Recep Tayyip Erdoğan. Çdo gjë fillon me ëndërr. Ndërsa kur ëndrra bashkohet me besimin shfaqet suksesi”, tha Ülker duke shtuar se TEKNOFEST vazhdon me shembuj të mirë në rrugën e suksesit.

Ndërsa drejtori i Fondacionit T3, Kökçam, tha se dëshirojnë që të rinjtë kosovarë t’i shohin si pjesë e TEKNOFEST-it që do të organizohet më 22-27 shtator në qytetin Gaziantep.

Ai mes tjerash shtoi se këtë vit synojnë që festivalin ta sjellin në një dimension ndërkombëtar. “Besoj se nga Ballkani këtë vit do të kemi shumë më shumë aplikime”, tha ai.

Mbledhjet promovuese të TEKNOFEST jashtë vendit do të përfundojnë nesër në Shqipëri.

Aplikimet për pjesëmarrje në festival mund të bëhen në bashkëpunim me Institutin Yunus Emre deri më 28 shkurt.