Prishtinë, shfaqet dokumentari që flet për organizatën terroriste FETO

Qindra qytetarë kanë shfaqur interesim në Prishtinë që të bëhen pjesë e audiencës ku u shfaq dokumentari “The Network”, i cili flet për rrjetin e organizatës terroriste FETO

 Në Prishtinë është shfaqur dokumentari “Rrjeti” (The Network) i cili demaskon fytyrën e vërtetë të organizatës terroriste FETO, përgatitur nga TRT World në kuadër të projektit të Zyrës së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë dhe realizuar nga gazetari britanik Andrew Wilson, raporton Anadolu Agency (AA).

Dokumentari që u shfaq sot duke filluar nga ora 19:00 mblodhi qindra qytetarë të interesuar nga vende të ndryshme të Kosovës. Gjatë shfaqjes së dokumentarit në Kinemanë “Armata” të kryeqytetit mori pjesë edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, koordinatori i TIKA-s për Kosovën, Hasan Burak Ceran dhe përfaqësues tjerë të institucioneve turke në Kosovë.

Ambasadori Sakar tha se lufta kundër organizatës terroriste FETO, e cila vetë zbuloi ambiciet e saj të errëta më 15 korrik, vazhdon ende. Ai tha se dokumentari “Rrjeti” do t’i informojë qytetarët e Kosovës për rrezikun nga kjo organizatë.

“Edhe njëherë dua të përsëris se nuk duhet të harrojmë për asnjë moment që kjo organizatë terroriste jo vetëm për Turqinë por edhe për vendet tjera këtu duke përfshirë edhe Kosovën paraqet rreziqe mjaft serioze. Ne kurrë nuk do të harrojmë dëshmorët dhe veteranët tanë të 15 korrikut për sakrificën e tyre në emër të mbrojtjes së demokracisë tonë”, tha ai.

Sakar në prag të përvjetorit të tretë të tentim grusht-shtetit në Turqi, përsëriti sugjerimet për autoritetin kosovar për të rritur bashkëpunimin kundër FETO-s.

Dokumentari është shfaqur edhe në Tiranë dhe Shkup, në kuadër të aktiviteteve që organizohen për përvjetorin e tretë të tentim grusht-shtetit në Turqi. Ai tregon sesi organizata terroriste FETO, që drejtohet nga Fetullah Gülen, përdor rrugët e pandershme dhe ato joligjore për të arritur qëllimet e saj.

Kujtojmë se Turqia më 15 korrik shënon përvjetorin e tretë të tentativës për grusht-shtet organizuar nga organizata terroriste FETO, gjatë së cilës u martirizuan 251 persona ndërsa dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.