Prishtinë, marsh për të drejtat e njeriut

“Arsyeja që pse sot kosovarët jetojnë 10 vjet më pak se njerëzit në Evropë, ka të bëjë kryesisht për shkak të ajrit që e thithim ne sot”, u tha pas marshit

Avokati i Popullit në bashkëpunim me shoqërinë civile në Kosovë për shënimin e 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut me moton “Çohu për të Drejtat e Njeriut” kanë marshuar në sheshet e Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Marshi filloi nga sheshi “Skëndërbeu” deri në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Kjo iniciativë është bërë me qëllim dërgimin e një mesazhi të fuqishëm për angazhim të shtuar gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me theks të veçantë për mbrojtjen e së drejtës për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.

Në një fjalë rasti, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se shqetësimet e qytetarëve të Kosovës vazhdojnë të jenë të lidhura me problemin e ajrit, degradimit të lumenjve, degradimit të tokës, pyjeve, e krejt kjo gjendje sipas tij është sepse prokuroritë dhe gjykatat vazhdojnë që të mos i dhënë prioritet lëndëve që kanë të bëjnë me ambientin dhe mjedisin.

“Një problem tjetër është menaxhimi i mbeturinave; mungesa e deponive për mbeturina inerte (të ndërtimit). Menaxhimi i asbestit është gjithashtu një problem i madh, keqmenaxhimi i deponive ekzistuese dhe moszbatimi i ligjeve për mbrojtjen e zhurmës. Tri parimet e mbrojtjes së mjedisit, qasja në informata mjedisore, pjesëmarrja në vendimmarrje dhe qasja në drejtësi vazhdojnë të përcillen me shumë paqartësi. Prokuroritë dhe gjykatat vazhdojnë të mos i japin përparësi lëndëve që kanë të bëjnë me mjedisin”, tha Jashari

Përfaqësuesja e shoqërisë civile, gazetarja Jeta Xharra, tha se ushqimi i pakontaminuar, ajri i pastër, malet e paprera e lumenjtë ku nuk shihen gypat janë e drejtë themelore njerëzore.

“Kosovarët sot jetojnë 10 vjet më pak se qytetari evropian dhe kjo është një mbytje e ngadalë-ngadalshme që s’po na e bënë Serbia, por po ja bëjmë vetes. Arsyeja që pse sot kosovarët jetojnë 10 vjet më pak se njerëzit në Evropë, ka të bëjë kryesisht për shkak të ajrit që e thithim ne sot. 98 për qind e rrymës që gjenerohet në Kosovë qe 20 vjet pas luftës vazhdon të gjenerohet prej qymyrit”, theksoi ajo.

Me rastin e Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut, Institucioni i Avokatit të Popullit filloi sot Platformën e të Drejtave të Njeriut, e cila është një udhëzues elektronik për të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës. Platforma synon të promovojë zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut siç garantohet me Kushtetutën e Kosovës, instrumentet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut të zbatuara në Kosovë.