Prishtinë, marsh për personat e zhdukur

"Asnjë marrëveshje me Serbinë nuk do të jetë e plotë nëse nuk kemi garancë nga qeveria e Serbisë që do të tregohet bashkëpunuese në zbardhjen e fatit të 1648 personave të pagjetur"

Me rastin e shënimit të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, organizata joqeveritare Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë – YIHR-KS sot në Prishtinë organizoi një marshim me moton “Marsh për ata/o që ende mungojnë! Marsh për të vërtetën! Marsh për drejtësi!”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në marshimin i cili nisi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe vazhdoi gjatë sheshit “Nënë Tereza” secili prej protestuesve mbante një pankartë me emrin e një personi të pagjetur.

Marshimi përfundoi në sheshin “Skenderbeu”, pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ku Marigona Shabiu, drejtoresha e organizatës YIHR-KS mbajti një fjalim. Me këtë rast Shabiu tha se ky marsh ka për qëllim të ngritë vetëdijen dhe në të njëjtën kohë përgjegjësinë shoqërore për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë për të gjihë të pagjeturit nga të gjitha grupet etnike.

“Nga ky shesh sot dhe çdo ditë tjetër i bëjmë thirrje kryeministrit dhe Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur për të shtuar angazhimin e tyre për zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur, aq më shumë në këtë periudhë kur dialogu me Serbinë ka hyrë në fazën finale. Kjo është një thirrje për presidentin, si udhëheqës i dialogut politik me Serbinë, që të vendos në krye të axhendës çështjen e personave të pagjetur. Asnjë marrëveshje me Serbinë nuk do të jetë e plotë nëse nuk kemi garancë nga qeveria e Serbisë që do të tregohet bashkëpunuese në zbardhjen e fatit të 1648 personave të pagjetur”, tha ajo.

Pjesëmarrësve iu drejtua edhe Gramos Berisha, i mbijetuari i masakrës së Suharekës e cila ndodhi më 26 mars të vitit 1999, ku janë masakruar 49 persona përfshirë edhe pjesëtarë të familjes së tij.

“Edhe 19 vjet pas luftës mua dhe familjes sime ende na mohoet e drejta për të ditur se ku janë më të dashurit tanë. Njëjtë sikurse i mohohet kjo e drejtë edhe familjarëve edhe të 1648 personave të pagjetur. Unë bashkë me familjarët e tjerë të personave të pagjetur dhe shoqëria kosovare kërkojmë nga shteti i Kosovës që çështja e personave të pagjetur ta kthehet në prioritet dhe të punohet për zbardhjen e fatit të tyre pakompromise”, tha ai.

Në fund të fjalimeve pankartat ku ishin të shënuara emrat e të pagjeturve u vendosën në një kuti të zezë, e cila do t’i dorëzohet kryeministrit me pyetjen “Edhe sa kjo kuti do të qëndrojë plot?”.

Në Prishtinë sot pasdite do të mbahet edhe një marshim përkujtimor me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, e cila organizohet nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me shoqatat familjare të të zhdukurve të Kosovës dhe organizatat tjera vendore e ndërkombëtare të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Kujtojmë se 1648 persona ende figurojnë të zhdukur që nga koha e luftës së fundit në Kosovë.