Prishtinë, gazetarët ndihmohen me pajisje mbrojtëse

Dhurimi i siguruar nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës përmban 15 mijë maska dhe 3 mijë dezinfektues, njoftoi Shoqata e Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës (AGK) nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës (SHSK), në mënyrë që të ndihmojnë gazetarët në Prishtinë, duke pasur parasysh që numri më i madh i infeksioneve me koronavirusin e ri (COVID-19) që nga fillimi i pandemisë ka ndodhur në kryeqytet, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhurimi i siguruar nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës përmban 15 mijë maska dhe 3 mijë dezinfektues, njoftoi AGK.

Kryetarja e Shoqatës së Gazetarëve, Gentiana Begolli Pustina, e vlerësoi të një rëndësie të veçantë këtë ndihmë të SHSK-së, për t’i mbrojtur gazetarët, të cilët tashmë ballafaqohen me probleme të shumta, jo vetëm financiare. Sipas saj, mbrojtja e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve, kontribuon jo vetëm në mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe funksionimin e medias, por edhe në informimin e saktë dhe në kohë reale te qytetarët e Kosovës.

Drejtori i SHSK-së, Sami Mazreku, u shpreh i përkushtuar të thellojë bashkëpunimin me AGK-në, me ç’rast theksoi gatishmërinë që AGK së bashku me SHSK-në të organizojnë trajnime vjetore për gazetarët që raportojnë për ekonomi dhe po ashtu t’i shpërblejnë gazetarët përvjetshëm me tri çmimet për storiet më të mira.