Presidenti Thaçi pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Turqisë

Thaçi i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Sakar dhe i ka ofruar mbështetje të plotë në punën e tij për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve

 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga Presidenca e Kosovës njoftojnë se presidenti Thaçi i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Sakar dhe i ka ofruar mbështetje të plotë në punën e tij për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“Do të vazhdojmë të kultivojmë marrëdhënie strategjike me Turqinë. Ju falënderoj për mbështetjen që i keni dhënë Kosovës në tri dekadat e fundit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, ambasadori Sakar e ka falënderuar presidentin Thaçi dhe ka theksuar se Turqia edhe më tej do të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Turqia është një aleat i fuqishëm i Kosovës.