Presidenti Thaçi paralajmëron referendum për marrëveshjen finale me Serbinë

Thaçi përsëriti thirrjen e tij për të gjitha partitë politike në Kosovë që në këtë proces Kosova të jetë sa më unike për të mbrojtur më mirë interesin e vendit dhe për të legjitimuar kërkesën politike

 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi sot se Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë i cili duhet ta jep fjalën e fundit në rast të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, por ai gjithashtu vuri në dukje se ka ardhur koha të dëgjohet edhe zëri i qytetarëve të cilët përmes një referendumi mund të deklarohen në lidhje me atë marrëveshje, raporton Anadolu Agency (AA).

Thaçi në konferencë për media theksoi se Kosova është midis disa vendeve të rralla që ende nuk ka mundësinë ligjore të shpallë referendum dhe se për këtë arsye ka nisur konsultimet e nevojshme ndërinstitucionale, si dhe konsultimet me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që të mundësohet një gjë e tillë në të ardhmen e afërt.

“Sidomos në rast të arritjes së një marrëveshjeje eventuale paqësore për normalizimin, pajtimin dhe njohjen reciproke Kosovë- Serbi, e konsideroj si të domosdoshëm deklarimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet referendumit. Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të jenë në gjendje që të bëhen vetë vendimmarrës në këtë proces kaq të rëndësishëm dhe historik, sidomos tani kur jemi dëshmitarë të divergjencave të theksuara ndërmjet spektrit politik për dialogun dhe marrëveshjen eventuale përfundimtare ndërshtetërore Kosovë-Serbi”, tha Thaçi.

Thaçi përsëriti thirrjen e tij për të gjitha partitë politike në Kosovë që në këtë proces Kosova të jetë sa më unike për të mbrojtur më mirë interesin e vendit dhe për të legjitimuar kërkesën politike dhe historike të shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci për t’u bashkuar me Kosovën.

Ai theksoi se pikërisht për shkak të kësaj kërkese, qëndrimi i tij është se Kosova duhet të jetë e gatshme të shqyrtojë opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë, i cili është rreth 400 kilometra i gjatë. Ai shtoi se korrigjimi i kufirit midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte precedent në botë, sepse ka pasur korrigjime të tilla.

Thaçi u shpreh se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet përmes dialogut, rrugës paqësore, në asnjë mënyrë me luftë dhe se Kosova ka mbështetjen e plotë nga partnerët ndërkombëtarë. Ai gjithashtu potencoi se kjo nuk do të thotë hapjen e Kutisë së Pandorës në rajon.

Sipas tij, aspiratat e vjetra të Beogradit për ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve nuk janë ide apo opsione të tij, por janë tërësisht në kundërshtim me parimet e tij. Ai tha gjithashtu se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, as autonomi, as shkëmbim territorial.

“Se çka mund të parashtrojë Serbia, unë nuk mund të marr atë përgjegjësi, por unë marr përgjegjësi në emër të vendit tim, qytetarëve të mi, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet”, tha Thaçi.