Presidenca Suedeze nis konsultimet për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Presidenca Suedeze e Bashkimit Evropian ka nisur konsultimet me vendet anëtare lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe në këtë moment nuk dëshiron të paragjykoj se cilat do të jenë rezultatet e këtyre konsultimeve.

Këtë e ka thënë në Bruksel Ambasadori i Suedisë në BE, Lars Danielson, i cili personalisht ka nisur këto konsultime në cilësinë e kryesuesit të radhës së BE-së.

Paraq gazetarëve ai shpalosi prioritetet që Suedia do t’i ketë gjatë kryesimit të saj me Këshillin e BE-së.

“Ne po konsultohemi me shumë shtete për të parë se si do të vendosim rreth kësaj kërkese. Kemi pesë vende që nuk e njohin Kosovën dhe është e natyrshme që me to konsultohem së pari. Me disa tashmë jam takuar dhe po vazhdojmë takimet”, ka thënë ai, raporton REL.

Përfaqësuesi i përhershëm i Suedisë në BE ka thënë se vendimi se si të veprohet me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE është procedural por edhe politik.

“Është një vendim procedural por ka një rëndësi të madhe politike. Nuk dua t’i paragjykoj rezultatet e konsultimeve por sapo të shoh se po ndërtohet konsensusi mes vendeve anëtare se si të veprohet do të njoftoj vendet anëtare. Kemi dy alternativa: T’ia bartim Komisionit apo të mos ia bartim Komisionit. Por po punojmë me shumë vullnet në këtë dosje” ka thënë ambasadori, Lars Danielson.

Sipas procedurave në BE pasi një shtet aplikon për anëtarësim, Këshilli kërkon nga komisioni Evropian që të përpiloj mendimin se ai përmbush apo jo aplikuesi kushtet për status kandidati dhe për nisjen e negociatave të anëtarësimit.