Pranim me ngurrim? Kurti “godet” propozimin europian: Nuk është produkt negociatash

Edhe pse në parim është pajtuar me të, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se propozimi europian nuk është produkt negociatash duke qenë se sipas tij, në 18 gusht të vitit të kaluar është hapur vërtet diskutimi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, por nuk ka pasur takime për atë temë, “ku pala tjetër nuk ka qenë as e interesuar e as e gatshme për këtë, dhe tri javë pas atij takimi, erdhi propozimi”, u shpreh ai.

Këto komente, Kurti i bëri në Kuvendin e Kosovës, kur u pyet për temat që pritet të diskutohen në takimin e së hënës me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.

“Nuk është se ne kemi negociuar dhe është paraqitur propozimi. Propozimi ka të bëjë shumë më tepër me historinë prej mbi një dekade të dialogut të Brukselit. Pra, propozimi nuk është as produkt i përfshirjes së kërkesave negociuese të palëve”, sqaroi ai.

Sipas Kurtit, aleatët e Kosovës e kanë krijuar propozimin europian si një pako që synon të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar, “dhe që përmban njohjen de-facto, e gjithë kjo bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila përbën një kushtetutë të sistemit ndërkombëtarë pas Luftës së Dytë Botërore për marrëdhëniet mes shteteve të pavarura”.

Nga sa kanë pohuar burime të BE-së, tema kryesore e takimit të nivelit të lartë Kurti-Vuçiç do të jetë pikërisht plani europian për normalizimin e plotë të raporteve mes Prishtinës e Beogradit. Propozimi evropian u është dorëzuar palëve në shtator të vitit të kaluar, të cilat e kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.