Policia publikon gjobat e vendosura në 24 orët e fundit për këmbësorët

Kanë thyer karantinën në 24 orët e fundit...

Ora ka kaluar 13, e megjithatë në rrugët e Tiranës, shihet të ketë ende këmbësorë dhe makina që qarkullojnë. Për këto arsye, policia po vijon kontrollet në të gjithë vendin, me qëllim që masat kufizuese të respektohen nga të gjithë.

Në vetëm 24 orë, në të gjithë vendin, janë gjobitur me nga dhjetë mijë lek secili, 65 qytetarë të cilët policia i konstatoi duke lëvizur me biçikletë apo në këmbë, po pa pasur ndonjë arsye apo emergjencë për të justifikuar këto dalje. Njëri prej tyre u procedua edhe penalisht pasi kundërshtoi urdhrin e dhënë nga punonjësit e policisë që ai të kthehej në banesë, raporton Top Channel.

Krahas këmbësorëve, në të gjithë vendin u ndëshkuan edhe 76 drejtues mjetesh, të cilët shkelën urdhrin e ndalim qarkullimit. Të gjithë atyre, u hoqën lejet e drejtimit, pra patenta, e po ashtu iu bllokuan edhe automjetet.

Ndëshkimi u bë edhe për 9 administratorë subjektesh private, pasi ata thyen rregullin e mbylljes në orën 13 të bizneseve të tyre. Secili i gjobit me nga 100.000 mijë lek.

Gjoba më e madhe, shkoi për një shtetas i cili theu rregullin e vetkarantinimit. Ai u ndëshkua me 700.000 mijë lek, pasi në sistemin tims, rezulton që ka hyrë në Shqipëri në datën 11 mars, por është konstatuar nga patrullat e policisë jashtë banesës së tij.
Apeli i policisë shkon për të gjithë qytetarët, që të respektojnë masa kufizuese, dhe në rast se në oraret e lejuara për lëvizje nuk kanë ndonjë arsye, t’i evitojnë ato. Në anën tjetër, pensionistët, nuk lejohen në mënyrë kategorike që të dalin nga banesat.