Përse tani ?

Nga Redi Shehu

Mbrëmjen e 2 Janarit, menjëherë pasi viti i ri hyri me të gjitha të papriturat e tija, një dron amerikan, i telekomanduar, kreu vrasjen pranë Aeroportit të Bagdadit të as më shumë e as më pak, por vetë general Kasem Sulejmanit, kreut të forcave Kuds si dhe njeriut të dytë më të fuqishëm të Iranit. Njeriu i cili ka qenë faktori kyç në zgjerimin e interesave të regjimit të Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme. Duke qenë se ai vepronte direkt nën urdhrat e Ajatollah Ali Khameneit dhe ishte përfaqësuesi më i lartë ushtarako-politik i tij, ky atentat ndaj tij u konsiderua nga pala iraniane si akt lufte, si atentat ndaj vetë shtetit të Iranit. Në orët e para të datës 8 Janar, 27 raketa iraniane, godasin dy baza amerikane në Irbil dhe Al-Asad të Irakut duke mos shkaktuar dëme në jetë njerëzore. Me pak fjalë, një javë e një fillim viti të ri i cili duket se u shpalos me urimin: “Mirëserdhët në dekadën e re!”

Po përse nisi e gjithë kjo histori e cila la të gjithë globin me gojën hapur dhe gjeti të papërgatitur opinion publik ? Përse duhet të arrihej në një përshkallëzim të kësaj natyre me Iranin, në kohën kur vetë Presidenti Trump pati premtuar se qëllimi i tij është që të largonte prezencën ushtarake amerikane nga Lindja e Mesme ?  Një seri ngjarjesh të cilat kishin ndodhur që nga data 25 Dhjetor e vitit të kaluar, që kumbuan me protesta dhe me një bombardim amerikan duke vrarë 25 militante pro-iranianë në Irak, kulmuan pastaj me rrethimin nga ana e protestuesve të pjesës së jashtme të Ambasadës Amerikane në Bagdat duke djegur dhe plaçkitur recepsionin e kësaj ambasade. Ky, besoj ka qenë momenti kyç i cili ka shkrepur gjithçka ka ndodhur më pas. Po përse? Sepse, ne nuk duhet të harrojmë që Shtetet e Bashkuara, janë shumë të ndjeshme ndaj dy momenteve fatkeqe që ata kanë pasur lidhur me përfaqësitë e tyre diplomatike në këto anë.

E para, është ngjarja e pengjeve amerikane të kapur nga lëvizja studentore iraniane në Ambasdën Amerikane në Teheran, e cila zgjati nga Nëntorit i vitit 1979 deri në 20 Janar të  vitit 1981. Ngjarje e cila i kushtoi Presidentit të asaj kohe Jimmy Karter, humbjen e zgjedhjeve presidenciale dhe një turpërim të diplomacisë politike dhe ushtarake amerikanë në sytë e gjithë botës. E dyta, është ngjarja e Konsullatës Amerikanë në Benghazi të Libisë  më 11 dhe 12 Shtator të vitit 2012 ku mbetën të vrarë  katër amerikanë mes të cilëve edhe Ambasadori Amerikan në Libi. Ngjarje po ashtu e cila shkaktoi një furtunë në mediat botërore si dhe politikën amerikane.

I ndodhur pothuaj të njëjtën situatë në Dhjetorin e vitit që sapo u largua, Presidenti Trump, nuk donte që fantazma e Teheranit dhe e Benghazit të përcaktonin fatin e tij politik. Për këtë arsye mënyra  e vetme për ta parandaluar ripërsëritjen e historisë ishte goditja e kreut komandues të të gjitha operacioneve tw kësaj natyre. Nata e 2 Janarit ishte natë përcaktuse si për karrierën e Trump, por edhe për fatin e tij elektoral në zgjedhjet presidenciale amerikane që do mbahen në Nëntorin e këtij viti. Trump, goditi ashtu siç edhe ai vetë deklaroi, jo për të filluar një luftë, por për ta ndalur atë. Pyetja prej një milion dollarësh është: A e frenoi një akt i tillë një luftë me Iranin ? Përgjigja iraniane më një mori raketash që ranë diku por nuk dëmtuan dikë, më shumë se sa me një hakmarrje, ngjau me një veprim për të vendosur në vend nderin e Iranit, i cili për hir të së vërtetws edhe ai pati deklaruar se nuk donte një luftë me SH.B.A. E bukura e gjithë kësaj historie është përplasja e dy vendeve të cilat nuk duan luftë por që kanë dekada që kanë punuar për t’i kontribuar një lufte mes tyre.

Por si filloi përplasja kur ne dimë se Irani ishte në mesin e një marrëveshjeje me P5+1, pra me vende si Sh.B.A, Kina, Rusia, Britania, Franca  si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, dhe Gjermania, për të pezulluar programin e vet të pasurimit të uraniumit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndaj këtij vendi. Pas fitores së Presidentit Trump në Nëntor të vitit 2016, një epoke e re e marrëdhënieve me Iranin, nisi në momentin kur presidenti amerikan prishi marrëveshjen nukleare me Iranin në 8 Maj të 2018-tës. Që nga ky moment, Irani deklaroi se do të vazhdojë me programimin e vet të pasurimit të uraniumit por në të njëjtën kohë, ky veprim ekspozoi të gjitha trupat dhe interesat amerikane dhe të aleatëve në Lindjen  e Mesme, ndaj  planeve dhe sulmeve iraniane në rajon.

E gjithë ajo që po ndodh sot, përmblidhet në përgjigjen e pyetjes, a ishte e dobishme tërheqja e SH.B.A-ve nga marrëveshja me Iranin ? A e zvogëloi apo shtoi ky veprim forcën e Iranit në rajon? Presidenti Trump, deklaronte se me strategjinë e tij të “presionit maksimal” përmes sanksioneve të shtuara ndaj Iranit, do ta detyronte këtë të fundit të gjunjëzohej. Për pasojë, sipas mendimit të tij, Irani, kokë-ulur do të pranonte një marrëveshje të re me administratën Trump, një marrëveshje që do të quhej “Trump Deal” dhe që do të ndryshonte nga ajo e bërë me Presidentin Obama për faktin se ajo, jo vetëm që do ta detyronte Iranin të tërhiqej nga programi bërthamor, por edhe të tërhiqej fizikisht nga të gjitha vendet ku ai kishte shtrirë influencën e vet ushtarakisht. Ngjarjet që rrodhën më pas treguan se një gjë e tillë nuk ndodhi. Irani jo vetëm që nuk u gjunjëzua , por që pas 2018-tës agresiviteti dhe influenca e tij në Irak, Jemen, Siri, Liban, Bahrein u shtua së tepërmi. Jo vetëm kaq, por ai arriti të dëmtonte rrugët ndërkombëtare të hidrokarbureve në Ngushticën e Hormuzit, si dhe të bombardonte rafinerinë më të madhe të naftës në botë në Arabinë Saudite. Së fundmi, arrit të rrëzonte edhe një dron amerikan që patrullonte zonën përreth apo në brendësi të Iranit. Pra, faktet tregojnë, se prishja e marrëveshjes e forcoi më shumë Iranin se sa e dëmtoi dhe dështimi i strategjisë së sanksioneve për të bërë presionin maksimal, rezultoi me një Iran i cili tentonte të përsëriste në Bagdat atë që ndodhi në Teheran në vitin 1979.

Po përse Trump dëshironte që t’i kundërvihej Iranit? Ai ndoshta nuk e ka dashur ta bënte këtë me duart dhe me gjakun e amerikanëve, por ama me atë të vendeve të tjera arabe me siguri që e ka dashur. Përpjekja e tij e fillimit të 2017-tës për të financuar me paratë e majme saudite krijimin dhe armatosjen e një aleance arabe apo “Nato arabe” kundra Iranit, si një konflikt suni-shia, është shumë e qartë. Aq e qartë sa ishte zhgënjimi i tij për mos realizimin e këtij plani edhe pse u desh që një princ si Muhamed bin Selman, të cilit nuk i takonte trashëgimia e fronit, të projektohej si pasardhësi i babait të tij në fronin saudit. Po, atëhere, nga ku buron kjo këmbëngulje për konflikt nga ana e adminstratës Trump?

Ka një dallim thelbësor mes adminstratës Obama dhe asaj Trump kur bëhet fjalë për politikat amerikane ne Lindjen e Mesme. Për të dyja administratat dhe për të gjitha administratat amerikane, ka qenë e qartë se interesi amerikan në Lindjen e Mesme ka qenë interesi i Izraelit në këtë rajon. Por, ama ndryshimi mes Obamës dhe Trump qëndron në faktin se Obama u mundua të ndante  Sh.B.A nga Izraeli lidhur me politikat dhe strategjitë e jashtme, veçanërisht në lidhje me Iranin. Kurse administrata Trump, i bashkoi këto strategji, duke i unifikuar ato, madje duke e bërë strategjinë izraelite prioritare ndaj vetë administratës amerikane në rajon. Në fakt, presidenti Trump nuk vinte nga një e eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare, apo në politikat e sigurisë globale, ai është një president atipik i cili ka vepruar përmes këshilltarëve të tij si, Banon, Flynn, Bolton, Kushner, Friedman, një pjesë e mirë e të cilëve nuk janë më në krah të tij. Ai duke lëvizur Ambasadën Amerikane  nga Tel-Avivi në Jeruzalem, legjitimoi politikën e Izraelit në rajon për ekzistencë e një shteti të vetëm hebre. Duke prishur marrëveshjen nukleare me Iranin, ai u bë fytyra Trump dhe zëri Netanjahut që shtyn për konflikt me Iranin. Duke mbështetur dhe financuar të gjithë despotët e Lindjes së Mesme, ai bën politikën e Izraelit i cili është i interesuar ta mbajë rajonin nën dikatura të korruptuara dhe mjerim, në mënyrë që të plotësojë i qetë axhendën e tij për aparteid ndaj palestinezëve dhe shtetit palestinez.

Nga ana tjetër, kemi Iranin i cili pak ndryshim ka nga kjo metodologji e bërjes së axhendës sektare në të gjithë Lindjen e Mesme, por kësaj radhe në shërbim të ajatollahëve dhe një rendi të ri shiit në këto zona. Pra, alternativa amerikano–izraelite në Lindjen e Mesme, ndaj popullsive të këtij rajoni ka qenë t’i bëjnë ata të zgjedhin mes dy të anomalish, ose dikatorë, ose ajatollahë. Kurrë një zgjedhje e lirë, apo qeveri të drejta të ardhura nga vota e lirë. Sa herë që këta popuj kanë tentuar ta bëjnë këtë, tanket dhe grushtet e shtetit kanë qenë përgjigja e vetme gjatë gjithë kësaj kohe. Gjithsesi, mirësevini në dekadën e re! Në një dekadë ku gjeopolitika në Lindjen  e Mesme rrezikon ta çojë rajonin drejt riformatimit. Në një dekadë  ku trampizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare do ta transformojë sloganin elektoral në “Make Amerika hate again!”