PE diskuton për Kosovën e Serbinë: Dy rezoluta para zgjedhjeve të reja

Parlamenti Europian diskuton sot mbi dy rezoluta për Kosovën e Serbinë gjatë një seance plenare që mbahet në Strasburg.

Votimi zhvillohet të mërkurën. Në fokusin e tyre do të jetë normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe mbështetja për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Ky diskutim dhe këto rezoluta do të jenë të fundit me këtë përbërje të PE-së, pasi, së shpejti, do të zhvillohen zgjedhjet europiane dhe do të zgjidhen ligjvënësit e rinj.

Beogradit ndërkohë, i cili ende nuk e ka hedhur hapin e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës,  do t`i tërhiqet vëmendja që t`i përshtasë qëndrimet e tij të politikës së jashtme me linjën e bllokut europian. Tekstet e rezolutave janë miratuar përpara dy javësh në Komisionin e politikës së jashtme të BE-së, por, sipas procedurave të Parlamentit Evropian, ato mund të ndryshohen në seancë plenare nëse ka propozime dhe amendamente nga deputetët.

Raportuesja për Kosovën në PE,  Viola von Cramon, propozoi që në tekstin e rezolutës për Kosovën të përfshihet edhe shprehja e keqardhjes për votimin e Serbisë kundër anëtarësimit të saj në Këshillin e Europës, veprim ky që siç tha ajo, përbën shkelje të Marrëveshjes së Ohrit, të arritur mes palëve në muajin mars ku theksohet shprehimisht se dy vendet nuk duhet ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Top Channel