Paul Kehoe: Jam i bindur se Kosova po ec drejtë integrimit në BE

"Ministrin e njoftuam në pika të shkurta me të arriturat e FSK-së, për progresin që kemi bërë sidomos me integrimin e komuniteteve jo shumicë pastaj pjesëmarrjen e gjinisë femërore në strukturat e FSK-së", tha Berisha

 Ministri i Mbrojtjes i Irlandës, Paul Kehoe, i cili ndodhet në Kosovë për një vizitë zyrtare u prit në takim nga ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri irlandez Kehoe dhe delegacioni nga irlanda pas takimit me ministrin Berisha, në një deklarate për media tha se Irlanda është njëra nga shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai theksoi se kjo është vizita e parë e tij në Kosovë, duke bërë të ditur se gjatë ditës së nesërme do t`i vizitojë edhe trupat irlandeze të cilët shërbejnë në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999.

“Ne kishim një diskutim të gjërë me ministrin lidhur me marrëdhëniet tona ushtarake dhe planet e shtetit tuaj për të ju bashkangjitur BE-së. Ne e mbështesim kandidimin tuaj për t`u anëtarësuar në BE. Unë besoj dhe jam i bindur se shteti juaj është duke ecur drejtë këtij procesi. Gjithashtu diskutuam anëtarësimin tuaj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të cilin e mbështesim po ashtu. Mendoj se ditët më të mira për Kosovën ende nuk kanë ardhur”, tha Kehoe.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha tha se ka njoftuar Kehoe lidhur me objektivat, synimet e FSK-së si dhe me procesin e transformimit të saj në forca të armatosura të Kosovës. Ministri kosovar shtoi se gjatë takimit kanë biseduar edhe për avancimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy ministrive si dhe në nënshkrimin e një memorandumi të bashkëpunimit në një të ardhme të afërt.

“Ministrin e njoftuam në pika të shkurta me të arriturat e FSK-së, për progresin që kemi bërë sidomos me integrimin e komuniteteve jo shumicë pastaj pjesëmarrjen e gjinisë femërore në strukturat e FSK-së”, tha Berisha.

Berisha tha se ka falënderuar ministrin irlandez për përkrahjen e dhënë në rrugëtimin e Kosovës drejtë lirisë. Ndërsa ai shtoi se Irlanda është një shtet që ka mbështetur Kosovën edhe në kohën e pasluftës deri në ditët e sotme përmes ushtarëve të tyre në KFOR.