Partia e Punës e kryeministres Ardern fiton zgjedhjet në Zelandën e Re

Sipas të dhënave jo-zyrtare Partia e Punës ka fituar 49 për qind të votave dhe ka arritur të marrë 64 ulëse në Parlamentin prej 120 vendesh

Partia e Punës nën udhëheqjen e kryeministres Jacinda Ardern fitoi në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën sot në Zelandën e Re, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në zgjedhjet ku ka përfunduar 96 për qind i numërimit të kutive, sipas të dhënave jo-zyrtare Partia e Punës ka fituar 49 për qind të votave dhe ka arritur të marrë 64 ulëse në Parlamentin prej 120 vendesh.

Ndërkohë Partia Kombëtare e opozitës kryesore ka fituar 26.9 për qind të votave duke nxjerrë 35 vende në Parlament ndërsa 21 vendet e tjera janë ndarë mes 4 partive.

Judith Collins, liderja e Partisë Kombëtare, pas rezultateve telefonoi dhe përgëzoi kryeministren Ardern.

Ardern fjalimin e fitores e filloi me gjuhën vendase

Në një fjalim për mbështetësit e saj, Ardern e filloi në gjuhën Maori të vendasve të Zelandës së Re ku ajo tha se “Zelanda e Re ka treguar mbështetjen më të madhe në 50 vitet e fundi për Partinë e Punës”.

“Kemi marrë mbështetje në qytete dhe në rajone periferike. Shpresonim të fitonim por fituam edhe vendet që nuk prisnim t’i fitonim”, tha Ardern duke shprehur falënderime ndaj vullnetarëve dhe mbështetësve të fushatës së Partisë së Punës.

Ndërsa për qytetarët që në zgjedhjet e mëparshme nuk kanë dhënë mbështetje por që kanë votuar Partinë e Punës në këto zgjedhje, Ardern ka shprehur falënderimet duke thënë: “Do ta dimë vlerën e mbështetjes tuaj, do të jemi një parti e cila merr në konsideratë këkesat e të gjithë qytetarëve të Zelandës së Re”.

Rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se në vendin e qeverisur me qeveri të koalicionit që prej vitit 1996, për herë të parë në vend është hapur rruga për qeverisjen e një partie të vetme në pushtet.

Kryeministra Ardern ka arritur një sukses të madh në këto zgjedhje duke rritur me 22 numrin e deputetëve i cili në zgjedhjet e mbajtura në 2017 ishte 46.

Ndërsa Partia Kombëtare e cila në zgjedhjet e vitit 2017 mori 56 deputetë por që nuk mund të formonte e vetme qeverinë, në këto zgjedhje është bërë partia e dytë duke humbur 21 deputetë.