Duke nisur nga 1 maj, pjesa më e madhe e shërbimeve publike është vendosur që të ofrohet on-line, përmes portalit e-Albania, duke mbyllur sportelet fizike. Por kjo nismë është “keqpërdorur” nga disa subjekte apo zyra shërbimesh private të cilat në kundërshtim me ligjin ofrojnë dhe reklamojnë, kundrejt pagesës, shërbime me logon E- Albania.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë informon se E- Albania është markë e regjistruar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e për këtë arsye përdorimi i saj për qëllime tregtare është i ndaluar.
“E- Albania është portali qeveritar, ku shërbimet publike që merreshin nga qytetarët apo bizneset në zyrat dhe sportelet fizike të institucioneve, ofrohen në mënyrë elektronike. Për këtë arsye Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut po monitoron në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë për evidentimin e subjekteve të tilla, të cilat po abuzojnë duke përfituar në mënyrë të jashtëligjshme nën logon e E-Albania.
Çdo veprim i kryer në shkelje të të drejtave të pronësisë industriale dënohet me masë administrative me gjobë nga 100 000 deri në 500 000 lekë. Në rast të konstatimit të përsëritjes së shkeljes dënimi maksimal dyfishohet. Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet” shkruhet në njoftimin e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.