Pacolli takon Presidentin italian Mattarella

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, është pritur në takim nga Presidenti italian, Sergio Mattarella

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, është pritur në takim nga Presidenti italian, Sergio Mattarella, në pallatin Quirinale, selia e Presidencës në Romë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Ministria e Jashtme e Kosovës bëhet e ditur se Pacolli i cili vazhdon vizitat e tij nëpër kryeqytetet evropiane me qëllim të faktorizimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, është pritur në një takim të veçantë nga Presidenti italian Mattarella.

Presidenti Mattarella ka siguruar kreun e diplomacisë kosovare, që ai do të përdorë autoritetin e tij institucional edhe tek homologët e tij, që të ndihmojë Kosovën dhe rajonin drejt proceseve të integrimeve euro-atlantike.

“Italia me gjithë fuqinë e saj do të mbështet paqësimin e rajonit, për një përfundim të suksesshëm të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Shteti italian do të përkrahë çdo iniciativë, që çon në zgjidhjen e drejtë dhe marrëveshjen përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Mattarella.

Sipas njoftimit, ai ka mbështetur pikëpamjet e ministrit Pacolli gjatë takimit duke theksuar se vetëm me zhvillimin ekonomik, investime nga jashtë dhe krijimin e mundësive sa më të shpejta për lirinë e lëvizjes së njerëzve, kapitalit dhe të mallrave mposhten tensionet politike dhe ndër-etnike.