Osmani në krah të Stoltenberg: E qartë kush janë partnerët, Serbia të bëjë detyrat

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani zhvilloi këtë të enjte një takim “kokë më kokë” me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Osmani theksoi se Kosova është në përputhje të plotë me çdo vendim të politikës së jashtme dhe sigurisë të NATO-s dhe BE-së.

Ajo nënvizoi se është Serbia ajo e cila merr mbështetje nga Bashkimi Evropian, por politika e jashtme e saj nuk përputhet me Perëndimin.

“Kosova është në përputhje të plotë me çdo vendim të politikës së jashtme dhe sigurisë me BE-në e NATO-n. Besoj që është shumë e qartë se kush janë partnerët e komunitetit euro-atlantik në rajonin tonë, por jemi të vetëdijshëm që përafrimi i Serbisë me Perëndimin është në interes të të gjithë neve”, tha Osmani.

Gjithashtu Osmani kërkoi që pala serbe të bëjë detyrat e shtëpisë përpara se të marrë fondet e mbështetjes së BE-së.

“Serbia duhet të bëjë së paku disa detyra shtëpie, përpara se ta merr atë mbështetje që po e merr aktualisht sepse fondet e BE-së duhet të shkojnë krah për krah me vlerat e BE-së dhe kjo nuk po ndodh aktualisht”, tha ajo.