“Do të jetë një spektakël unik në llojin e vet. Janë përshtatur në shqip pjesët për recitim, në mënyrë që publiku shqiptar të mund të kuptojë. Drama është shumë e rëndësishme të përcillet në publik, ndaj i kemi kushtuar shumë rëndësi pjesës teatrale”, tha Ricardo Casero, dirigjent.
Programi përfshin suitën spanjolle, pjesë për violin dhe orkestër, por edhe “Amor Brujo”, versioni original i së cilës është vënë në skenë në vitin 1915. Në skenat shqiptare, varianti klasik i kësaj pjese është vënë dy herë, por këtë fillim gushti vjen në formën eksperimentale, ku fjala do të marrë një peshë kryesore, krahas muzikës.
“‘Amor Brujo’ mban një peshë emocionale, artistike shumë të madhe. Fjala jonë, në radhë të parë është muzika. Nuk më bie rasti shumë shpesh të bëj aktoren, duke qenë se më duhet të recitoj jo pak në shqip, por goxha, por do të mundohemi dhe shpresoj të kemi edhe mirëkuptimin e publikut që ky është një prodhim i yni, një prodhim i muzikantëve sesi mund të shprehim ne edhe muzikën, edhe fjalën bashkë”, tha Vikena Kamenica, mexosoprano.
Koncerti “Rrënjët spanjolle” do të jetë i hapur për të gjithë mbrëmjen e 2 gushtit, në skenën e Teatrit të ri “Turbina”./topchannel