Nis punën kopshti i Fondacionit Maarif në Shkup

Ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara dhe delegacioni shoqërues realizuan një vizitë në kopshtin e fëmijëve me rastin e nisjes së procesit mësimor

Kopshti i parë për fëmijë i Fondacionit Maarif të Turqisë (TMV) i hapur në Shkup sot nisi aktivitetet mësimore, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara dhe delegacioni shoqërues realizuan një vizitë në kopshtin e fëmijëve me rastin e nisjes së procesit mësimor.

Kara dhe delegacioni zhvilluan bisedë me fëmijët dhe shëtitën nëpër hapësirat e kopshtit të shoqëruar edhe nga edukatorët, ndërsa po ashtu u informuan në lidhje me punën e këtij institucioni nga ana e zyrtarëve të TMV-së.

Në një prononcim për mediumet, Kara e vlerësoi pozitivisht kopshtin dhe përgëzoi zyrtarët relevantë.

“Gjithsesi, kur shikojmë fytyrat e fëmijëve, buzëqeshjet e tyre, çdo gjë është e qartë”, tha Kara.

Kara theksoi se këtë shkollë e kanë hapur se bashku me mësidhënësit e të gjitha përfaqësive etnike në Maqedoni, pa bërë ndarje etnike.

“Hapëm dhe promovuam një shkollë të hapur për të gjithë fëmijët në të cilën do të përfshihen gjuhët maqedonase, turke, shqipe dhe angleze, në mënyrë që fëmijët këtu të mësojnë gjuhë të huaj”, deklaroi ambasadorja turke.

Kara tha se një nga qëllimet e themelimit të Fondacionit Maarif është të pengohen strukturimet e organizatës terroriste FETO në vendet ku gjendet, ndërsa u bëri thirrje prindërve që në mënyrë të rehatshme t’i sjellin fëmijët në këtë shkollë të fondacionit.

“Uroj që kjo shkollë e bukur e hapur nga Republika e Turqisë të jetë në dobi të të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike. Falënderojmë ata që kanë dhënë mund, me në krye kontributet e presidentit tonë”, u shpreh Kara.

Ndërkohë, drejtori i TMV-së në Maqedoni, Mustafa Dillioğlu, njoftoi se në fillimet e para pas ardhjes në Maqedoni, kanë analizuar nevojën për hapjen e një institucioni parashkollor si një nga punimet prioritare të fondacionit.

Ai tha se janë furnizuar me të dhëna nga zyrtarët relevantë në kopshtet që veprojnë nën Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale në Maqedoni dhe se hapja e kopshtit të parë në Shkup është bërë në përputhje me nevojën për arsim parashkollor në këtë rajon.

Dillioğlu tha se në këtë kopsht ka klasa në gjuhët turke, shqipe, maqedonase dhe angleze.

“Fëmijët këtu mund t’i vijojnë mësimet në gjuhën që dëshirojnë. Mund të luajnë lojëra jashtë. Kemi edhe kopshtin ku mund të përjetojnë natyrën dhe hapësirën për lojëra. Brenda ka shtatë klasa. Ka dhoma të fjetjes për fëmijët, si dhe një hapësirë të mbyllur ku fëmijët mund të lozin gjatë dimrit”, informoi Dillioğlu.

Ai po ashtu tha se fëmijët në këtë kopsht shërbehen edhe me ushqime.

“Këtu do të ofrohen shërbime për 130 fëmijë. Nisëm aktivitet me fëmijë të moshës nga tre deri në gjashtë vjeç”, theksoi më tej Dillioğlu, duke rikujtuar se kopshti në Shkup është hapur pas shkollës që fondacioni e hapi në qytetin e Tetovës.

“Siç e dini, në Tetovë kemi kopsht, shkollë fillore dhe të mesme. Shpresojmë që edhe në Shkup vitin e ardhshëm të hapim shkolla të nivelit të mesëm. Aktualisht kemi 24-25 nxënës. Shpresojmë që numrat do të rriten me rritjen e promovimeve”, deklaroi drejtori i Fondacionit Maarif për Maqedoni, Mustafa Dillioğlu.