Nikolla: Buxheti për arsimin rritje me 1.1 mld lekë, vijojmë reformat

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Ekonominë mbi shpërndarjen e buxhetit për vitin 2019.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Ekonominë mbi shpërndarjen e buxhetit për vitin 2019,raporton Top Channel.

Ministrja Lindita Nikolla para komisionit deklaroi se buxheti i akorduar kap shifrën e 39.1 miliard lekëve dhe përmbush pritshmëritë për thellimin e reformave, rritjen e pagës për mësuesit, shtimin e numrit të mësuesve ndihmës dhe sigurimin e transportit për nxënësi dhe mësuesit nga klasat kolektive.

“Buxheti ka rritje me 1.1 miliard lekë. Është një buxhet që ka disa risi. Për herë të dytë mundëson rritjen e pagave për mësuesit në masën 7% me efektet financiar 1.3 miliard lekë. Premtimi ynë mbetet rritja e pagave në masën 40% deri në fund të mandatit, tha Nikolla para Komisionit të Ekonomisë.

Gjatë seancës në komision, ministrja nuk la pa përmendur as arsimin e lartë i cili këtë vit merr 8.1 miliard lekë ose 410 milionë lekë më shumë se një vit më parë.

Nikolla rikonfirmoi se do të mbulohen 12 muaj pagat e pedagogëve por nga investigimi i bërë në shumë universitete ajo deklaroi se ka një fryrje të stafeve të cilat sjellin edhe uljen e parave që mund të shkojnë në favor të studentëve.

“Buxheti 2019, Arsimit të lartë i shtohen 410 milion lekë më shumë së një vit më parë. Pagat e pedagogëve do të mbulohen në 12 muaj nga buxheti i shtetit. Po monitorojmë punën e bordeve, administratorëve, dekanëve dhe rektorëve me strukturën universitare. Kemi konfirmuar se ka tejkalim të normës së punonjësve administrativë mbi 33% në disa universitete. Ndaj ne do bëjmë publike këtë investigim dhe do ndërhyjmë që taksat të shkojnë aty ku duhet dhe jo për nderet e radhës duke punësuar pa kriter”, u shpreh Nikolla.