Kompania amerikane e neuroteknologjisë e themeluar nga Elon Musk, Neuralink njoftoi se personi të cilit i është implantuar një çip në tru, luan shah me anë të mendimeve të tij, transmeton Anadolu.
Neuralink ndau momentet nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejt në platformën X, kur pacienti me çip në tru Noland Arbaugh luante shah.
Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, Arbaugh tha se duart dhe këmbët i ishin paralizuar pas një aksidenti rreth 8 vjet më parë dhe tha se operacioni për të implantuar çipin në tru ishte “shumë i lehtë”.
Në video, Arbaugh shihet duke lëvizur kursorin e laptopit dhe duke luajtur shah me anë të mendimeve të tij.
Në postimin e tij në X më 30 janar, Elon Musk njoftoi se një çip i prodhuar nga Neuralink u implantua në një njeri për herë të parë.
Duke treguar se emri i produktit të parë Neuralink është “Telepathy”, Musk tha se telefoni apo kompjuteri dhe pothuajse çdo pajisje mund të kontrollohet përmes këtij produkti vetëm duke menduar.
Vitin e kaluar, Neuralink njoftoi se kishte marrë miratimin nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për studimin e saj klinik të parë në njerëz të implanteve në tru.
Në vitin 2016, Musk bashkëthemeloi kompaninë Neuralink për të integruar trurin e njeriut me inteligjencën artificiale (AI), duke krijuar pajisje të ngulitura në tru për të lehtësuar bashkimin e trurit me pajisjet.
Në faqen e internetit të kompanisë thuhet se ata po ndërtojnë pajisje që kanë potencialin për të ndihmuar njerëzit me paralizë.