Nesër samiti i BE-së, në tryezë edhe hapja e negociatave me Shkupin dhe Tiranën

Në aspektin e politikave të jashtme, liderët do të diskutojnë edhe fillimin e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Krerët e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) do të mblidhen nesër në Bruksel për Samitin e Liderëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas programit të samitit që do të mbahet më 17-18 tetor në kryeqytetin belg, në mesin e pikave të rendit të ditës do të jenë largimi i Britanisë nga blloku (Brexit), ndryshimet klimatike, prioritetet dhe çështjet financiare të Komisionit të ri Evropian që do të nisë punimet në nëntor.

Ndërkaq, në aspektin e politikave të jashtme, liderët do të diskutojnë edhe fillimin e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Po ashtu, në samit pritet të trajtohen edhe aktivitetet kërkimore të Turqisë në Mesdheun Lindor dhe operacioni antiterrorist “Burimi i Paqes”, të cilin Ankaraja e filloi javën e kaluar për të parandaluar korridorin terrorist në veri të Sirisë dhe për të garantuar paqen në rajon.

Nga ana tjetër, liderët do të miratojnë Christine Lagarde si presidente e Bankës Qendrore Evropiane, ndërsa po ashtu do të diskutojnë Kornizën Financiare Shumëvjeçare për buxhetin e BE-së për periudhën 2021-2027.