Në shënjestër të OFL, Ben Qimja dhe Saimir Taullau/ SPAK merr ‘frenat’ e hetimit për grupin e Dukagjinit

OFL i vihet pas pasurisë së Saimir Taullaut dhe Arben Isufajt (Ben Qimes). Të dy subjektet kanë 48 orë kohë për të deklaruar burimin e pasurisë së tyre. Sot OFL njoftoi se janë referuar tashmë në SPAK, dokumentet për grupin e Dukagjinit, të akuzuar për pengmarrjen e Jan Prengës.

Operacioni Forca e Ligjit ka vënë në shënjestër dy emra të njohur në Fier dhe Lushnje. Saimir Taullau dhe Arben Isufaj i njohur ndryshe si Ben Qimja, duhet të deklarojnë për 48 orë pasurinë dhe burimin e origjinës. OFL njoftoi se formularët janë dërguar në adresë të tyre. Taullau sqaron OFL ëshët dënuar për prodhim dhe shitje narkotikësh, ndërsa Ben Qimja është nën hetim në Itali për “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Ndërkohë që një tjetër lajm me rëndësi vjen nga OFL, që njoftoi sot se tashmë janë dërguar në SPAK dosjet e plotësuara për Altin Hajrin, Leonard Hajrin, Gentian Finiqin, (Doçi), Ardian Doçin, Martin Bletën, Artan Doçin dhe Aldo Majnishtën, të cilëve iu është sekuestruar tashmë pasuria. Ata njihen ndryshe edhe si grupi i Dukagjinit, përgjegjës për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës.

NJOFTIMI I PLOTË I OPERACIONIT FORCA E LIGJIT:

Në vijim të operacionit Forca e Ligjit dhe në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

– S. T., banues në Lushnjë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim;

– A. I., banues në Fier, i cili është nën hetim në Itali, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për ndjekje të mëtejshme. Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.

Gjatë kësaj periudhe janë dërguar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar materialet për shtetasit : A. H., L. H., G. F., G. M., A. D., M. B. dhe A. D. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Saimir Taullau, iu shpëtoi për fat dy atentateve, vëllai iu vra nga banda e Aldo Bares

Saimir Tuallau njihet edhe si biznesmen në qytetin e Lushnjës, dhe më 24 nëntor 2018, iu bë një atentat në rrethrrotullimin e Plugut, para lokalit të tij. 49-vjeçari është vëllai i Baki Taullaut dhe është i skeduar nga Policia e Shtetit si një person me precedent të mëparshëm penalë. Taullaut iu bë edhe një tjetër atentat, në vitin 2017. Familja Taullai njihet si rivale e fortë e Aldo Bares. Në vitin 2005, Baki Taullau u vra, ndërkohë që Saimiri, vëllai i tij, ishte dëshmitar në gjyq, ku ka dëshmuar dhe ka akuzuar si autorë të vrasjes, pjesëtarët e këtij grupi me urdhër të Bares. Konflikti ka nisur në vitin 1997, kur banda e Aldo Bares rriti influencën në Lushnje. Familja Taullau kishte në pronësi një pikë karburanti dhe disa biznese. Bare kërkoi të rekrutonte në grup Saimir Taullaun, i cili refuzoi. Në dëshminë e tij, para gjykatës në vitin 2008, Saimir Taullau, ka thënë se i vëllai i tij, Baki Taullau, ishte pre e gjobave të grupit të Aldo Bares. Siç dëshmonte asokohe Taullau, i vëllai i tij i kishte paguar disa herë gjobat që grupi i Bares i kishte vendosur, dhe kur ai nuk i pagoi më, atëherë atë e vranë.

Ben Qimja, ‘pronari’ i Fierit që u lirua nga Gjykata me vetëm 11 ditë burg

Arben Isufaj, i njohur ndryshe edhe si ‘Ben Qimja’ ka patur një ‘luftë’ me drejtësinë italiane e cila e ka kërkuar prej vitesh që ta hetojë për trafik droge. Qimja u arrestua në vitin 2014, por gjykata e Fierit jo vetëm që nuk u arrestua, por edhe u lirua nga burgu me vetëm 11 ditë burg. I cilësuar si i forti i Fierit, ka pasur më herët një përballje të gjatë me drejtësinë shqiptare, ku mundi të sfidojë prokurorinë. Ai dyshohej për vrasjen e Piro Koçiut, më 12 gusht 2002, në një pallat në rrugën “Him Kolli” në Tiranë.

Në dosje thuhet se Koçiu ka dalë me vrap nga shkallët e pallatit, dhe në oborrin e tij është penguar nga një person. Në këto momente, Koçiu është rrëzuar dhe është qëlluar me shqelma dhe me grushta nga dy persona, ku njëri nga ata e ka qëlluar në distancë fare të afërt në kokë me pistoletë, ku për pasojë ka gjetur vdekjen në vend. Në një rrugicë qorre që të nxirrte në rrugën “Myslim Shyri” në Tiranë, janë gjetur dy armë zjarri, njëra pistoletë tip ‘Zastava’ dhe tjetra ‘Mauser’, të cilat dyshohet se ishin përdorur në vrasjen e Koçiut.

Dyshimet për vrasjen ranë mbi Arben Isufajn, pasi një gjurmë e pjesshme gishti e gjetur në një krehër pistoletë, rezultonte të ishte lënë nga i pandehuri. Duke qenë se ekspertët dilnin në përfundime të ndryshme lidhur me provën më kryesore që vendoste për fatin e Isufajt, prokuroria vendosi të pushojë hetimet ndaj tij. Më 1 tetor 2007, hetimet ndaj të njohurit si Ben Qimja u hapën dhe ai u vu nën akuzën e “vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim.

I dyshuari kërkoi pushimin e çështjes, duke pretenduar se aktet e prokurorisë ishin absolutisht të pavlefshme. Kërkesa e të pandehurit Arben Isufaj u pranua nga Gjykata e Tiranës, e cila vendosi të pushojë çështjen penale ndaj tij dhe të lirojë nga qelitë biznesmenin, i cili njihet në Fier si pronari i qytetit.