Mbrëmë në Moskë është bërë hapja zyrtare e festivalit ndërkombëtar “Qarku i Dritave”. Në kuadër të festivalit, në disa lokacione të ndryshme të qytetit do të shfaqen një numër i madh instalicionesh nga drita, shkruan Anadolu Agency (AA).
Festivalin, i cili që nga viti 2011 mbahet në kryeqendrën ruse, banorët e Moskës e quajnë “kryeveprat nga dritat”, për çka në metropolin rus për çdo vit mbërrijnë një numër i madh i turistëve nga vende të ndryshme të botës për të parë nga afër instalacionet e teknologjisë bashkëkohore, lojërat me drita dhe zëra, bashkë me shfaqet tredimensionale.
Për nevojat e këtij festivali, ekipet e ardhura në Moskë kanë angazhuar rreth 1.000 njësi të pajisjeve ndriçuese dhe teknologjisë për video-projeksione, ndërsa paralelisht me këtë është paraparë edhe një spektakël laserik në ujë.