“Në asnjë moment gjatë krizës nuk u vu në pikëpyetje likuiditeti i buxhetit”

"Ajo që duhet të dijë opinioni i gjerë, qytetarët dhe komuniteti i biznesit, është se buxheti është në një gjendje të qëndrueshme", tha ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Besimi

Ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Besimi, theksoi se Buxheti është në gjendje të qëndrueshme dhe se në asnjë moment gjatë krizës nuk u vu në pikëpyetje likuiditeti i tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Zv/kryeministri për çështjet ekonomike, Fatmir Bytyqi, bashkë me ministrin Fatmir Besimi zhvilluan një takim pune me kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, në lidhje me iniciativat e komunitetit të biznesit, të cilat janë të pranueshme nga Ministria e Financave.

Ministri Besimi, duke theksuar se Buxheti i shtetit është brenda parashikimeve, tha se në shkurt të ardhurat pritet të jenë më të mira krahasuar me të njëjtin muaj vitin e kaluar dhe se aktiviteti ekonomik në vend ngadalë po kthehet në normalitet.

“Ajo që duhet të dijë opinioni i gjerë, qytetarët dhe komuniteti i biznesit, është se Buxheti është në një gjendje të qëndrueshme, në asnjë moment gjatë gjithë krizës nuk u vu në pyetje likuiditeti i Buxhetit”, tha Besimi.

Lidhur me atë nëse do të emetohet Eurobond dhe kur, ministri Besimi tha se në Buxhet thuhet se sa nga deficiti buxhetor do të mbulohet nga huamarrja e brendshme dhe e jashtme, duke shtuar se qytetarët dhe opinioni do të dinë për ditën kur do të lëshohet Eurobondi.

Duke theksuar se vendi do të duhet të harmonizojë plotësisht tarifat doganore me ato të BE-së kur të bëhet anëtar, Besimi tha se drafti fillestar i Tarifës Doganore do të duhet të publikohet deri në fund të marsit.

Zv/kryeministri Bytyqi theksoi se Oda Ekonomike e Maqedonisë shihet si një nga aktorët kryesorë dhe si partner në bërjen e politikave.

“Për shkak se ne besojmë se vetëm me një qasje të tillë në të cilën kemi një partneritet, ne krijojmë një atmosferë dialogu. Një nga vlerat kryesore të kësaj qeverie është krijimi i një mjedisi të parashikueshëm biznesi”, tha Bytyqi, duke shtuar se për të nuk ka ndodnjë temë tabu që nuk mund të hapet.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, në mbledhjen e sotme i bëri thirrje Kuvendit të miratojë ligjet ekonomike, sepse, sipas tij, çdo bllokim i ligjeve do të thotë një goditje serioze për ekonominë dhe ndërmarrjet.