Ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi, ekstremistët gjermanë janë pro

Reagimet ndaj ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë vazhdojnë. Shumica e deputetëve në Bundestagun gjerman janë kundër, por ka edhe zëra ndryshe, siç thotë “Deutsche Welle”.

Reagimet ndaj ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë vazhdojnë. Shumica e deputetëve në Bundestagun gjerman janë kundër, por ka edhe zëra ndryshe, siç thotë “Deutsche Welle”.

Pas telefonatës me Donald Trump, Angela Merkel edhe një herë e bëri të qartë se “Berlini i mbështet bisedimet, që çojnë deri te qëllimi”, ama shtoi njëkohësisht se integriteti ka një rëndësi të veçantë dhe foli për rrezikun e efektit domino.

Këtë qëndrim e ndajnë edhe shumë të tjerë.

“Kjo nuk çon drejt zgjidhjes, madje edhe më shumë irriton kur dëgjohen mendime për vendosjen e kufijve të rinj”, thotë Peter Beyer, deputet i Partisë Kristiandemokrate (CDU). “Nuk mendoj asgjë të mirë për këtë dhe mendoj se këto lojëra teorike për kufijtë paraqesin rrezik për destabilizimin”.

“Kufijtë e dy shteteve sovrane, Serbisë dhe Kosovës, janë përcaktuar”, këmbëngul ai.

Edhe deputeti Josip Juratoviç, nga Partia Socialdemokrate (SPD), është i shqetësuar.

“Shkëmbimi i territoreve do të thotë kthim në Mesjetë, kur feudalët kanë këmbyer territore dhe i kanë zhvendosur popujt sipas dëshirës së tyre”, ishte komenti i tij.

Po cilët janë zërat pro? Ata vijnë prej partisë së ekstremit të djathtë, “Alternativa për Gjermaninë”.

Deputeti i kësaj partie, Anton Friesen, i cili e ka kritikuar politikën e Perëndimit në Ballkan, tha për “Deutsche Welle”-n se bota ka mbi 20 vite që pret zgjidhjen e problemit të Kosovës, ndaj duhet anuar sipas tij drejt një zgjidhjeje, të cilën e gjejnë Beogradi dhe Prishtina, pavarësisht nëse ajo nënkupton edhe ndryshimin e kufijve.