Meta thirrje qytetarëve për 25 Prillin: Mos e humbisni këtë mundësi

"Ja risia e zgjedhjeve të 25 prillit, jepini një mesazh të qartë gjithë politikës"

Presidenti Ilir Meta tha se qytetarët shqiptarë duhet të votojnë masivisht në zgjedhjet e 25 prillit. Në një konferencë nga Fieri, Presidenti theksoi se zgjedhjet e 25 prillit kanë një risi, pasi qytetarët përveç partisë kanë mundësi të zgjedhin edhe kandidatët, që mendojnë se i përfaqësojnë më mirë interesat e tyre.

Mes të tjerash, Kreu i Shtetit theksoi se këto zgjedhje duhet të shërbejnë për t’iu dhënë një mesazh të qartë gjithë krerëve të partive se nuk mund të vënë në lista njerëz pa integritet.

“Unë besoj te demokracia direkte dhe kam qenë i hapur. Dua t’iu siguroj se populli shqiptar ka një mijë arsye për të shkuar e votuar këtë herë si asnjëherë tjetër dhe për të treguar se është popull shqiponjash, siç ka për ta treguar. Po kështu ju them se këto zgjedhje kemi një risi që qytetarët kanë mundësi të shprehin preferencën edhe për kandidatin, përveçse për partinë. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për qytetarët për të zgjedhur kandidatët më me vlera, më me integritet, në mënyrë që të jepet një mesazh i qartë për të gjithë forcat politike se në përcaktimin e renditjes duhet të kenë parasysh edhe reputacionin që gëzojnë kandidatët. Më 25 prill kemi shumë zgjedhje, zgjedhje tradicionale, zgjedhje të reja dhe kandidatët e çdo zgjedhje, që ju gjykoni se është më e mira për të ardhmen tuaj. Keni një arsye për të zgjedhur më të mirët në lista. Mos e humbisni këtë mundësi.

Mendoj se qytetarët duhet të japin vlerësimin e tyre objektiv dhe tepër të përgjegjshëm përmes pjesëmarrjes në zgjedhje, përmes përzgjedhjes jo vetëm të forcës politike apo të koalicionit që dëshirojnë, por edhe përmes kandidatit në listë, që mendojnë se përfaqëson më mirë interesa te tyre. Të mos nisen nga renditja që kanë bërë kryetarët, të nisur nga gjykimet e tyre. Unë thjesht dua t’i kujtoj të gjithë qytetarëve se sa të rëndësishme janë këto zgjedhje, edhe për fatin e partive politike në Shqipëri, për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për 100 vitet e ardhshme. Këtu shifrat janë të frikshme, ne jemi vend që dhe në kushte pandemie jemi në vend me Sirinë për largime nga vendi. Duhet adresuar fuqimisht cështja e emigracionit edhe më 25 prill”, u shpreh Presidenti Meta.