Meta për tërmetin në Izmir: Shqipëria do t’u qëndrojë pranë vendeve mike

“Unë dhe gjithë populli shqiptar u qëndron pranë popujve miq turk dhe grek, me urimin për të përballuar këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre", shkruan Meta për tërmetin në Turqi

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar për tërmetin në Turqi që tronditi edhe disa vende të tjera, duke theksuar se Shqipëria do t’u qëndrojë pranë vendeve mike, transmeton Anadolu Agency(AA).

Në rrjetet sociale, Meta shkruan se është “thellësisht i tronditur nga tërmeti që goditi këtë mesditë ishullin grek të Samosit dhe preku rëndë edhe qytetin e Izmirit”.

“Lëkundjet e tërmetit u ndjenë në 4 shtete, më së shumti në Turqi e Greqi, por edhe në Bullgari deri edhe në Shqipëri. Ky është një moment solidariteti njerëzor dhe reflektimi për t’u qëndruar pranë familjeve të viktimave dhe autoriteteve të Turqisë dhe Greqisë për të përballuar dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore”, shkroi presidenti Meta.

“Unë dhe gjithë populli shqiptar u qëndron pranë popujve miq turk dhe grek, me urimin për të përballuar këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre”, shprehet më tej Meta.

Meta theksoi se “Shqipëria do t’u gjendet pranë vendeve mike me të gjithë kapacitetet e mundshme të saj”.

Sot pasdite, një tërmet me magnitudë 6,6 ballë ka tronditur brigjet e rajonit Seferihisar në qytetin Izmir të Turqisë, duke lënë të paktën 4 të vdekur dhe 120 të plagosur.