Mati trishtimi i një qyteti grek që nuk ekziston më

Mati nuk ekziston më, heshtje e dëshpëruar, makina dhe kafshë të djegura, qyteti i vogël bregdetar në lindje të Athinës është shndërruar në hi.

Mati nuk ekziston më, heshtje e dëshpëruar, makina dhe kafshë të djegura, qyteti i vogël bregdetar në lindje të Athinës është shndërruar në hi.

Ai përshkohej sot vetëm nga forcat e shpëtimit në kërkim të viktimave të tjera, numri i të cilëve sa vjen dhe rritet.

Pesëdhjetë, 60, 74 …, bilanci sa vjen dhe rritet, pas zbulimit makabër të 26 personave të vdekur dhe të grumbulluar në të njëjtin vend.

Trupat e tyre të vdekur ishin në grupe prej katër apo pesë personash, ndoshta familje, miq apo të panjohur, të cilët ishin bërë bashkë në përpjekje për t’u vetëmbrojtur, ndërkohë që po përpiqeshin të futeshin në det, 30-40 metra nga vendi i zjarrit”, dëshmon Vassilis Andriopoulos, një prej shpëtuesve të Kryqit të Kuq, i cili zbuloi këtë skenë të tmerrshme sot në mëngjes.

Ai shprehu keqardhje për praninë e fëmijëve të vegjël në këtë grup.

Duke u larguar nga flakët, ata kanë mbetur dukshëm të bllokuar mes zjarrit dhe shkëmbit që shtrihet drejt detit.

Gjatë natës, një fotograf ka gjetur jo shumë larg këtij vendi katër trupa të personave që po përpiqeshin të largoheshin, tre në një veturë, një në një motor.

– “Në pesë apo 10 minuta” –

Në rrugën kryesore, gjithçka është e zezë, veçanërisht pishat e mëdha që rrethojnë shtëpitë. Deti është gri, aroma e djegies ndjehet kudo.

Stella Petridi, një pensioniste 65-vjeçare kishte gjashtë pjesëtarë. Ajo ka qenë në kishë. Kur ka ndjerë zjarrin të vinte ajo ka vrapuar drejt shtëpisë së saj ku ata ndodheshin. Por, ajo nuk ka mundur ta hapë portën e shtëpisë që po digjej.

Ajo nuk ka pasur zgjidhje tjetër vetëm të vraponte drejt detit, ku një patrullë e ka shpëtuar së bashku me disa të tjerë rreth orës 04:00 të mëngjesit, për ta dërguar në një qytet pak më larg, në Rafina, kryetari i Bashkisë të të cilës, Evangelos Bournous dëshmoi se “Mati nuk ekziston më”.

Athanasia Oktapodi, 60vjeçe, me fytyrën e nxirë dhe sytë e kuq, dëshmon se shpejtësia e flakëve ka qenë marramëndëse.

“Kam parë flakët në kodrina rreth orës 18:00, në pesë apo 10 minuta ato ishin në kopështin tim. Si shumë shtëpi të Matit, e saja është e rrethuar nga pisha të larta.

“Ato morën flakë. Kam dalë si e çmendur, kam vrapuar drejt detit, jam futur në ujë dhe më pas kanë ardhur patrullat.

Pjesa më madhe e të mbijetuarve kanë qendruar të pafuqishëm dhe të tmerruar në det duke parë flakët për disa orë. Disa janë mbytur.

– Zgjedhje e tmerrshme –

Lela Demertzi, 53 vjeçe, ka marrë në krahë, për të shkuar drejt plazhit, nënën e saj.

“Bashkëshorti qëndroi. Ai bëri gjithçka për të shpëtuar shtëpinë dhe ia doli”, theksoi ajo.

Kryeministri, Alexis Tsipras u ka bërë thirrje banorëve të lënë pronën dhe të shpëtojnë jetën.

Përveç djegies së pishave, disa fqinjë theksojnë se kanë dëgjuar dhe shpërthime të shumta si pasojë e bombulave të gazit, të pranishme në shumë residenca pushimesh.

Sot, pasdite banorët vazhduan kërkimet për të afërmit e tyre. Ekipe psikologësh janë vendosur në vend për të dhënë mbështetjen e tyre. Vullnetarët e Kryqit të Kuq kanë shpërndarë ujë, medikamente dhe sanduiçë për të pastrehët. (Helene Colliopoulou)