Marsh për 8 Marsin në Shkup: “Ti nuk je fajtore”

Dita Ndërkombëtare e Gruas - 8 Marsi në Shkup u shënua me një marsh në të cilin pjesëmarrëset thanë se lufta historike e grave për barazinë e tyre ekonomike, politike dhe sociale në shoqëri vazhdon

Dita Ndërkombëtare e Gruas – 8 Marsi në Shkup u shënua me një marsh në të cilin pjesëmarrëset thanë se lufta historike e grave për barazinë e tyre ekonomike, politike dhe sociale në shoqëri vazhdon, raporton Anadolu Agency (AA).

Marshimi nën moton “Ti nuk je fajtore!” u organizua nga Komiteti i Helsinkit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, si dhe disa OJQ të tjera, ndërsa pjesë morën një numër i madh aktivistesh gra, përfshirë zëvendëskryeministren dhe ministren e Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska.

Pjesmarrësit e marshit u mblodhën në Sheshin Filipi II në qendër të qytetit, prej ku vazhduan përmes Urës së Gurit në Sheshin “Maqedonia” dhe deri te Parku “Gruaja Luftëtare”.

Meri Cvetkovska nga Shoqata HERA – Asociacioni për Edukim dhe Kërkim Shëndetësor, në një deklaratë për shtyp tha se kjo ditë e rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e grave dhe mirëqenien e tyre shënon luftën historike dhe akoma aktuale të grave për barazi ekonomike, politike dhe sociale në shoqëri.

“Kjo është vetëm një ditë e vitit kur ne disi arrijmë të marrim vëmendjen si të atyre që ushqejnë këto vlera çdo ditë, ashtu edhe të atyre për të cilët kjo datë është vetëm një fluskë formale ose nuk ka fare kuptim”, tha Cvetkoska.

Kalia Dimitrova nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut tha se aktivistët po dalin në rrugë për të festuar luftën për të drejtat e grave dhe për të rikujtuar se rruga për barazi gjinore ende nuk ka mbaruar.

“Ne duam, kërkojmë dhe meritojmë më shumë. Këtë vit marshuam nën moton “Ti nuk je fajtore!”, të nxitur me një nga rastet më të shpifura të dhunës me bazë gjinore në vend, konkretisht grupi i Telegrafit “Dhoma publike”, ku qindra vajza dhe gra ishin ekspozuar ndaj dhunës me bazë gjinore dhe kjo nuk u trajtua si e tillë në publik”, tha Dimitrova, duke shtuar se raste të tilla duhet të zgjidhen nga institucionet.

“Kjo qeveri dhe çdo qeveri e ardhshme, pavarësisht orientimit ideologjik, ka obligim dhe detyrë të luftojë për barazinë gjinore në këtë vend. Nuk njoh asnjë grua që nuk ka qenë viktimë e një lloj dhune apo ngacmimi nga aspekti gjinor. Ky është realiteti ynë. Akuzimi i viktimave duhet të përfundojë”, tha ajo.