“Marrëdhënia SHBA-Shqipëri do forcohet edhe më shumë në të ardhmen”

Ndihmës sekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit për Arsimin dhe Kulturën, Marie Royce, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, duke u takuar me zyrtarë ë lartë të vendit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama kanë realizuar takime të ndara me ndihmës sekretaren e Departamentit Amerikan të Shtetit për Arsimin dhe Kulturën, Marie Royce, në kuadër të vizitës së saj në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency(AA).

Në lidhje me takimin, Meta-Royce, Presidenca e Shqipërisë në një njoftim thekson se presidenti Meta vlerësoi rëndësinë që ka vizita e zyrtares amerikane për të konsoliduar e forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve në fushën e arsimit dhe të kulturës.

“Duhet të synojmë që sa më shumë studentë shqiptarë të arsimohen e edukohen në SHBA, por njëkohësisht, edhe krijimin e kushteve që ata të kthehen në vendin e tyre, për t’u bërë liderët e ardhshëm të tij. Shqipëria mirëpret, vijimin e angazhimit të përbashkët në drejtime të tilla, si shkëmbime të studentëve, akademikëve apo studiuesve të të dy vendeve”, ka theksuar Meta.

Sipas Metës, bashkëpunimi në fushat e arsimit dhe të kulturës ndërmjet dy vendeve do t’i shërbejë së ardhmes së Shqipërisë dhe sipas tij do të promovojë mirëkuptimin ndërkulturor, si një mundësi reale për të afruar më shumë popujt.

“Ka shumë gjëra fantastike për të mësuar nga SHBA-të edhe në fushat e arsimit dhe kulturës”

Gjithashtu Royce është takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në selinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.

Rama gjatë takimit tha se “pa dyshim ka shumë gjëra fantastike për të mësuar nga SHBA-të edhe në fushat e arsimit dhe kulturës”.

Duke iu drejtuar zyrtares amerikane, Rama tha se “më besoni që nuk janë pak gjëra që ju mund të mësoni nga kultura jonë. Në fund të ditës, kultura është një sferë ku SHBA ka akoma për të mësuar nga shumë vende të tjera që kanë një histori më të gjatë dhe shumë më komplekse të rrënjosur prej mijëra vitesh”.

Ndërkohë Royce u shpreh gjatë takimit me Ramën se marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë do forcohet edhe më shumë në të ardhmen.

“Lidhja mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, mes dy popujve tanë nuk ka qenë kurrë më e fortë se tani dhe jam shumë e lumtur që jam këtu në Shqipëri tani. Siç vë re Presidenti Trump në strategjinë kombëtare të sigurisë, shkëmbimet mes popujve krijojnë rrjetet për liderët e të tashmes dhe të ardhmes politike, të shoqërisë civile dhe të arsimit që do të krijojnë një botë të lirë dhe të begatë”, tha Royce.