Maqedonia e Veriut hyn në “heshtje” në muajin e Ramazanit

"Ramazani do të kalojë pak me pikëllim. Xhamitë e Shkupit fatkeqësisht janë mbyllur", tha Selaettin Idriz, i cili kishte dalë në Bit Pazar për të blerë disa gjëra për Ramazan

Muslimanët në Maqedoninë e Veriut po hyjnë në “heshtje” në muajin e Ramazanit për shkak të masave të ndërmarra kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Besimtarët përfunduan përgatitjet e tyre duke blerë gjërat esenciale për iftar dhe syfyr, kryesisht në kryeqytetin Shkup si dhe në mbarë vendin, ndërsa nuk do të mund të falen namazet ditore si dhe ato të teravive nëpër xhamitë për shkak të COVID-19.

Një banor i kryeqytetit, Selaettin Idriz, i cili kishte dalë në Bit Pazarin e njohur të Shkupit, për të blerë disa gjëra për Ramazan, në prononcimin për AA tha se që 50 vite është esnaf në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

“Ramazani do të kalojë pak me pikëllim. Xhamitë e Shkupit fatkeqësisht janë mbyllur”, tha ai.

Një ensaf tjetër, i cili që 20 vite punon në Bit Pazar, Nazim Murati, tha se sot për shkak të Ramazanit ka pasur lëvizje në pazar.

“Inshallah me të mira vjen, e kalon me të mira. Inshallah edhe korona hiqet, lirohemi prej kësaj situate”, u shpreh Murati.

Banori tjetër i Shkupit, Abdulkadir Kurtish tha se për shkak të COVID-19 të moshuarit nuk kanë mundësi të shkojnë shpesh në pazar.

“Ramazani është shumë i mirë, por edhe xhamitë të ishin hapur do ishte më mirë”, tha ai.

Ndërkohë, nga xhamia e Murat Pashës, ka filluar para namazit të drekës leximi i mukabeles (leximi i Kur’anit), e cila me anë altoparlantit është transmetuar edhe jashtë xhamisë.

Në një njoftim nga BFI-ja, thuhet se për çdo ditë gjatë muajit të Ramazanit në xhami do të qëndrojnë imami, muezini, kryetari i Mexhlisit të xhamisë apo njëri nga anëtarët e Mexhlisit, me qëllim për të qenë në “lidhshmëri të përhershme” me besimtarët.

“Gjatë muajit të Ramazanit në çdo kohë të namazit të thirret ezani, ndërkaq pas namazit të drekës të lexohet mukabele, mundësisht ajo të dëgjohet edhe jashtë xhamisë”, theksojnë nga BFI.

Ndërkohë xhamitë dhe oborret e tyre u pastruan për shkak të Ramazanit.