Maqedoni e Veriut, miratohet paketa e tretë e masave ekonomike në vlerë prej 355 milionë euro

Siç informoi Spasovski, grupi i tretë i masave ekonomike i referohet mbështetjes direkte për rritjen e konsumit, mbështetje të drejtpërdrejt të ekonomisë, bujqësisë dhe një shpërblim për mjekët dhe stafin mjekësor në klinikat e sëmundjeve infektive

Në kuadër të grupit të tretë të masave për rikuperimin e ekonomisë së vendit, rreth 100 mijë qytetarë të cilët nuk kanë të ardhura mujore mbi 15.000 denarë do të mund të marrin një kartelë pagesore me 9.000 denarë, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Spasovski mbajti një konferencë për media në të cilën ai njoftoi grupin e tretë të masave ekonomike për rikuperimin e ekonominë së vendit, të miratuar në seancën e sotme të Qeverisë.

Siç informoi Spasovski, grupi i tretë i masave ekonomike i referohet mbështetjes direkte për rritjen e konsumit, mbështetje të drejtpërdrejt të ekonomisë, bujqësisë dhe një shpërblim për mjekët dhe stafin mjekësor në klinikat e sëmundjeve infektive.

Duke përmendur se vlera e masave nga paketa e tretë është 355 milionë euro, Spasovski tha se përmes tyre do të mbulojnë 730 mijë përdorues.

“Rreth 100 mijë qytetarë të vendit tonë do të marrin një kartelë pagesore në vlerë prej 9.000 denarë për produktet dhe shërbimet e vendit. Kjo masë është e disponueshme për të gjithë personat e papunë, punëkërkuesit që nuk kanë mbi 15.000 denarë të ardhura mujore, si dhe shfrytëzuesit e ndihmës minimale të garantuar”, tha Spasovski, duke shtuar se kartela mund të përdoret për produktet vendase brenda 30 ditëve.

Po ashtu, siç tha kryeministri, rreth 100 mijë qytetarë do të marrin një kupon për turizëm vendas me vlerë prej 6.000 denarë dhe një kartelë pagesore prej 3.000 denarësh.

Spasovski theksoi se përmes kësaj mase, qytetarët do të jenë në gjendje të pushojnë dhe të verojnë në hotelet vendase dhe kështu do të forcohet turizmi vendas. Kjo masë përfshin të gjithë qytetarët e punësuar që marrin pagë neto më pak se 15.000 denarë.

Ai tha se në kuadër të masave ekonomike, të rinjtë do të marrin mbështetje financiare prej 6.000 denarësh dhe kartelë pagesore prej 3.000 denarësh dhe kupon për bashkëfinancim të trajnimeve për teknologjinë e informacionit.

Duke theksuar se do të vihet në zbatim fundjava pa taksë mbi vlerën e shtuar (TVSH) për të gjithë qytetarët, kryeministri Spasovski tha se: “Përmes çmimeve më të lira për qytetarët, ne inkurajojmë konsumin dhe rritjen e të ardhurave në sektorë të caktuar të shitjeve, siç janë dyqanet për veshje, teknikë e bardhë, mobiljet, etj. sanitari, pajisjet shkollore dhe librat”.

Spasovski njoftoi gjithashtu një kompensim monetar për të gjithë ata që humbën vendin e punës në periudhën nga 11 marsi deri më 30 prill. Kompensimi do të jetë në dispozicion për të gjithë ata që kanë ndërprerë punësimin e tyre përmes një deklarate të caktuar, me marrëveshje ose janë larguar nga puna.

Për shkak të angazhimit dhe luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe si shenjë mirënjohjeje punonjësit e shëndetësisë, në emër të popullit të Maqedonisë së Veriut do të marrin 20 për qind pagë më të lartë në dy muaj.

I pyetur nga gazetarët nëse për Festën e Bajramit do të ketë orë policore 24 orëshe, Spasovski tha se për këtë do të bisedojë me Komitetin shkencor për koronavirusin.Maqedoni e Veriut, miratohet paketa e tretë e masave ekonomike në vlerë prej 355 milionë euro