Liderët kosovarë uruan Biden-in për fitoren në zgjedhjet në SHBA

Ushtruesja e detyrës Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani; kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti; si dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, uruan fituesit e zgjedhjeve presidenciale në SHBA...

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë uruar presidentin e zgjedhur në SHBA, Joe Biden, si dhe zv/presidenten e zgjedhur, Kamala Harris, për fitoren e tyre në zgjedhjet presidenciale të mbajtura të martën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ushtruesja e detyrës Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, uroi Biden-in dhe Harris-en në emër të popullit të Kosovës.

“Jam e bindur që nën udhëheqjen tuaj si president dhe zv/presidente e SHBA-së, demokracia do të lulëzojë në Amerikë dhe në të gjithë botën. Për dekada, Joe Biden ishte zëri i njerëzve të diskriminuar në të gjithë botën. Për ne, ai është mik i përkushtuar dhe një mbështetës i madh i Kosovës së lirë dhe të pavarur”, u shpreh Osmani në rrjetet sociale.Liderët kosovarë uruan Biden-in për fitoren në zgjedhjet në SHBA

Ajo gjithashtu tha se pret një bashkëpunim të ngushtë me administratën e re në forcimin e marrëdhënieve “të veçanta dhe aleancës strategjike”.

Urime dërgoi edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke uruar vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Në emër të Qeverisë se Republikës së Kosovës, i percjelli urimet më të përzemërta presidentit të zgjedhur, Joe Biden dhe zv/presidentes, Kamala Harris, për fitore në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Mirëpres fuqizimin e miqësisë tonë të përhershme me SHBA-të dhe vazhdimim e bashkëpunimit, në emër të dy popujve, në shërbim të vlerave të perbashkëta”, shkroi Hoti në rrjetet sociale.

Gjithashtu urim dërgoi edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila u shpreh se marrëdhënia e veçantë e Kosovës me SHBA-në në themelet e saj ka vlerat e përbashkëta të paqes, lirisë dhe demokracisë.

“Amerika është aleati më i rëndësishëm i yni, që qëndroi me ne në përpjekjet tona kundër gjenocidit dhe shtypjes, duke arritur çlirimin dhe pavarësinë së bashku. Urime presidentit të 46-të amerikan Joseph Biden, dhe zv/presidentes historike Kamala Harris. Mirëpresim vazhdimin e ndërtimit e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit tonë të ngushtë prej çështjeve të politikës së jashtme në ato të paqes dhe mbrojtjes”, u shpreh Haradinaj-Stublla.

Paraprakisht, sipas raportimeve të Associated Press (AP) dhe organizatave të tjera mediatike, kandidati demokrat Joe Biden fitoi shtetin vendimtar Pennsylvania dhe kështu tejkaloi shifrën prej 270 delegatëve të nevojshëm të Kolegjit Zgjedhor për të fituar zgjedhjet.