Liberalizimi i vizave për Kosovën, “dritë jeshile” nga komisioni i rëndësishëm në PE

Komisioni për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) i Parlamentit Europian ka votuar këtë të enjte pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Komisioni për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) i Parlamentit Europian ka votuar këtë të enjte pro liberalizimit të vizave për Kosovën,raporton Top Channel.

Anëtarët e këtij komiteti kanë votuar me 30 vota pro, 10 kundër dhe dy abstenime, duke miratuar kështu raportin e Komisionit Europian që sugjeronte heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Raportuesja për Kosovën në PE, Tanja Fajon është shprehur se kjo arritje është e merituar për qytetarët kosovarë, të cilët duhet të lëvizin lirshëm në vendet e “Schengen”-it.

“E di sesa e vështirë ka qenë dhe sa punë kanë bërë qytetarët e Kosovës që të arrijnë kriteret për liberalizimin. Dëshiroj që t’iu ofroni mbështetje të plotë raportit, pasi Kosova e meriton të ketë një lëvizje të lirë të qytetarëve të saj”, ka thënë Fajon.

Pas këtij votimi, tashmë i duhet Parlamentit Europian dhe Këshillit që të arrijnë marrëveshjen ndërinstitucionale për liberalizimin.

Kosova mori në fund të muajit korrik rekomandimin pozitiv nga Komisioni Europian për lëvizjen e lirë të qytetarëve në zonën “Schengen”, pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi. Votimi në LIBE i hap rrugë votimeve në instancat e tjera të BE-së.