Kuvendi i Kosovës miraton projektrezolutën për gjenocidin serb në Kosovë

- "Serbia po nxjerrë përpara skenarët e së kaluarës. Dhe kjo ka një arsye pse ndodhë. Arsyeja është se Serbia nuk e ka marrë dënimin e merituar për krimet që ka kryer në Kosovë gjatë luftës”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës

Me 79 vota për dhe asnjë kundër, Kuvendi i Kosovës e miratoi projektrezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës” të kryera nga Serbia në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Komisionit Ad-hoc për hartimin e projektrezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë, Bilall Sherifi, ka lexuar pikat e rezolutës me kërkesat ndaj Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, ku më pas u votuan nga deputetët.

Para se të votohej rezoluta, në seancë pati një debat që zgjati për rreth katër orë në prani edhe të përfaqësuesve të familjeve të të pagjeturve.
Bilall Sherifi, tha se kjo rezolutë do t’i japë fund pandëshkueshmërisë së krimeve serbe ndaj shqiptarëve.

“Për 20 vite me radhë kemi pasur tendencë që të ndërrohen rolet, në vend që të lexohet ashtu siç ka qenë agresori”, tha Sherifi.

“Thua se populli i Kosovës në krye me Ushtrinë Çlirimtare të saj ka bërë krime në Kosovë dhe jo ushtria dhe policia e Serbisë, jo aparati shtetëror dhe jo regjimi i Serbisë, jo shteti i Serbisë”, shtoi Sherifi.

Sherifi tha se rezoluta do t’i detyronte institucionet e Kosovës, Kuvendin, Qeverinë dhe institucionet gjyqësore që të sjellin kriminelët para drejtësisë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, duke treguar se partia e tij e mbështet unanimisht miratimin e rezolutës, bëri thirrje që në Kuvend të ketë sa më pak fjalë dhe sa më shumë vepra për dënimin kriminelëve serbë.

“Ajo çfarë na ka bashkuar është fakti jo për të dëshmuar diçka e cila nuk është e njohur, por për të kryer një obligim të cilin institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë arritur qe 20 vite nga përfundimi i saj ta sjellin para të zgjedhurve të popullit dhe para qytetarëve të saj një rezolutë të tillë”, tha Zemaj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se plaga më e madhe e luftës është mungesa e drejtësisë për viktimat e gjenocidit të cilin Serbia e ushtroi mbi popullin e Kosovës gjatë luftës.

Veseli kujtoi se nga Kosova u detyruan të bëhen refugjatë mbi një milionë shqiptarë, mbi 13 mijë njerëz u vranë, ndërsa u dhunuan edhe gra.

“Në vend se të shikojë kah e ardhmja, Serbia po nxjerrë përpara skenarët e së kaluarës. Dhe kjo ka një arsye pse ndodhë. Arsyeja është se Serbia nuk e ka marrë dënimin e merituar për krimet që ka kryer në Kosovë gjatë luftës. Është inkurajuar nga qasja toleruese e derisotshme e Bashkimit Evropian për këtë. E them këtë sepse edhe deri më sot, Serbia, vendi kandidat për BE, tolerohet nga BE-ja të derdhë qindra miliona euro çdo vit edhe për strukturat kriminale në Kosovën tonë”, tha Veseli.

Nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, i cili edhe është anëtar i komisionit për hartimin e rezolutës, tha se teksti i kësaj rezolute i referohet të gjitha raporteve ekzistuese ndërkombëtare që kanë të bëjnë me krimet e gjenocidit. Ai tregoi se ende nuk janë shterur të gjitha hulumtimet.

Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, dha disa vërejtje rreth kësaj rezolute, duke theksuar se ajo duhet të plotësohet me informacionin se “pjesëtarët e regjimit serb janë akoma në pushtet në Serbi”.

Seanca e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë përsëri pas orës 21.