Kurti ‘refuzoi’ takimin e Tiranës, edhe Bislimi konfirmon që nuk do të marrë pjesë

Klisman Kadiu, zëdhënësi i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë me dije se ky i fundit nuk do të jetë i pranishëm në takimin informal që kryeministri Rama do të mbajë me liderët e Ballkanit Perëndimor në “Vilën 30”, në kryeqytet.

Zëdhënësi i Bislimit, nënvizon se janë të pavërteta lajmet e publikuara nga disa media se zëvendëskryeministrit të Kosovës i është refuzuar ardhsja nga organizatorët në takimin e Tiranës. Ai shton se zëvendëskryeministri nuk ka konfirmuar në asnjë moment pjesëmarrjen në takim dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë kurrësesi asnjë farë refuzimi.

“Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar.

Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij. Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”, shkruan zëdhënësi i Bislimit.