Kryeministri Kurti priti në takim përfaqësuesit politik, kulturor e shoqëror të komunitetit turk në Kosovë

Kryeministri Kurti ua uroi të gjithë qytetarëve të komunitetit turk në Kosovë 23 Prillin – Ditën e Turqve, e cila në Turqi përkon me Ditën e Sovranitetit dhe Festën e Fëmijëve...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Emilija Redxhepi, priti në takime përfaqësuesit politik, kulturor e shoqëror të komunitetit turk në Kosovë, me rastin e 23 prillit, festës zyrtare të qytetarëve të komunitetit turk në Kosovë – Ditën e Turqve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në një fjalë rasti, kryeministri Kurti ua uroi të gjithë qytetarëve të komunitetit turk në Kosovë këtë ditë, e cila në Turqi përkon me Ditën e Sovranitetit dhe Festën e Fëmijëve.

Kryeministri uroi që kjo ditë e veçantë, që flet për diversitetin kulturor dhe trashëgimor që ka Kosova, të shërbejë si simbol i integrimit sa më të madh të komunitetit turk në Kosovë, si dhe afrimit të Kosovës me Republikën e Turqisë, si fuqi regjionale ekonomike dhe vend i rëndësishëm i NATO-s.

Përfaqësuesit e komunitetit turk pasi e uruan kryeministrin Kurti për detyrën e tij, theksuan se Kosova është atdheu i tyre dhe ashtu siç kanë qenë bashkë në çdo fazë historike, janë të gatshëm të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejmë të saj.

Komuniteti turk në Kosovë është i përqendruar kryesisht në komunat e Prizrenit, Mitrovicës, Gjilanit, Prishtinës e Istogut, ndërsa numri i pjesëtarëve të komunitetit turk llogaritet të jetë rreth 1% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së Kosovës, gjë që përputhet me rreth 19.000 persona.

Ky komunitet në Legjislaturën aktuale të Kuvendit të Kosovës përfaqësohet nga dy deputetë të zgjedhur.