Kryeministri i Kosovës Hoti pranon telegram urimi nga presidenti i Turqisë Erdoğan

Turqia edhe më tutje do të vazhdojë t'ju mbështesë në punët tuaja të cilat do t'i realizoni për një Kosovë të fortë dhe të prosperuar", ka shkruar Erdoğan

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pranuar një telegram urimi nga presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan me rastin e emërimit të tij si kryeministër i Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në telegramin e urimit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Erdoğan ka uruar Hotin në emër të popullit turk, me rastin e marrjes së postit të shefit të ekzekutivit pas votimit në kuvend.

“Ju uroj suksese në misionin tuaj të ri. Turqia edhe më tutje do të vazhdojë t’ju mbështesë në punët tuaja të cilat do t’i realizoni për një Kosovë të fortë dhe të prosperuar”, ka shkruar presidenti Erdoğan.

Presidenti turk ka thënë se solidariteti midis Turqisë dhe Kosovës ka fituar rëndësi në luftën kundër pandemisë COVID-19, e cila ka kapluar tërë botën.Erdogan uron Hotin për marrjen e detyrës së kryeministrit

“Shpresoj që furnizimet mjekësore të cilat i kemi dërguar kanë kontribuar në luftën e Kosovës kundër pandemisë COVID-19. Ju përcjell ngushëllimet e mia për vëllezërit tanë kosovarë që humbën jetën për shkak të pandemisë, ndërsa të prekurve u uroj shërim sa më të shpejtë”, shkruan në telegram.

Tutje në telegramin që Erdoğan i ka dërguar Hotit është shprehur se ai beson që marrëdhëniet bilaterale të të dyja vendeve “të cilat shtrihen në lidhjet miqësore dhe vëllazërore, do të zhvillohen më tej edhe me këtë rast”.

Avdullah Hoti u zgjodh të mëkurën më 3 qershor në Kuvendin e Kosovës me 61 vota kryeministër i ri i Kosovës, pas shkarkimit me mocion votëbesimi të ish-kryeministrit Albin Kurti.

Partia e Hotit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka bërë marrëveshje për bashkëqeverisje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe parti më të vogla të minoriteteve.