Kosovë, ushtarët Simone Bice dhe Haxhi Krasniqi shpallen “Ushtarët më të mirë 2022”

Në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e përmbylljes së Garës Ndërkombëtare Tradicionale “Ushtari më i mirë 2022”, ku janë shpallur dy ushtarët më të mirë nga pjesëmarrësit vendas dhe të huaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të garuesve ndërkombëtarë më i miri në këtë garë është shpallur ushtari kanadez Simone Bice, ndërsa vendin e dytë e zuri Jaron Springer nga SHBA dhe vendin e tretë e zuri Oliver Verral po ashtu nga Kanadaja.

Sa i përket garuesve vendas, ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), vendin e parë e zuri Haxhi Krasniqi, ndërsa të dytin Eidon Mulaku dhe të tretin Qëndrim Asllanaj.

Gara e “Ushtarit më të mirë 2022” filloi më 25 prill. Pjesëmarrës ishin 39 garues, 22 nga FSK-ja dhe 17 nga vendet partnere si SHBA, Turqia, Kroacia, Shqipëria, Kanadaja dhe Maqedonia e Veriut.

Zv/ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i cili ndau shpërblimet e garës, tha se gara ka qëllim të promovojë shpirtin garues, të rrisë motivimin dhe të testojë shkathtësitë ushtarake të të gjithë pjesëmarrësve.

“Dua të theksoj se për FSK-në qëllimi primar i garës është rritje e aftësive ushtarake, ngritja e testit fizik dhe përzgjedhja e më të mirëve. Gjithashtu kjo garë njëjavore tradicionale promovon vlerat, gatishmërinë, profesionalizmin dhe ndihmon në shkëmbimin e përvojave me ushtarët ndërkombëtarë nga vendet partnere”, theksoi Syla.

Gara e ushtarit më të mirë ka filluar të mbahet në Kosovë nga viti 2014, ndërsa nga viti 2017 ajo është e hapur edhe për pjesëtarët e huaj me qëllim të promovimit të shpirtit luftarak të ushtarëve, si dhe ngritjen e motivimit dhe kapaciteteve të ushtarëve.

Garuesit janë testuar në disiplinat si testi fizik, njohuri të përgjithshme, gjuajtje me armë, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi kondicional dhe i shpejtë.