Kosovë, shkon në 19 numri i të prekurve nga Covid-19
IKSHPK njofton se ekipet e Qendrave Rajonale të Shëndetit Publik janë në terren dhe janë duke kontaktuar rastet e mundshme pozitive me COVID-19 për mbikëqyrje të rreptë për 14 ditë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se numri i të prekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në vend është rritur në 19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi nga ky institut, nga 8 shkurti i këtij viti deri më 17 mars në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK “me metodën RT-PCR janë testuar gjithsej 284 mostra të dyshimta me virusin SARS-CoV-2 dhe gjithsej 19 prej tyre kanë rezultuar pozitive”.
Në njoftim thuhet se sot janë konfirmuar dy raste pozitive me COVID-19.
“Rastet janë nga komuna e Gjakovës, të kthyer nga Dusseldorfi i Gjermanisë, njëri i gjinisë mashkullore 54 vjeç dhe tjetri i gjinisë femërore 49 vjeçe”, thuhet në njoftim.
IKSHPK njofton se ekipet e Qendrave Rajonale të Shëndetit Publik janë në terren dhe janë duke kontaktuar rastet e mundshme pozitive me COVID-19 për mbikëqyrje të rreptë për 14 ditë, si dhe rekomandojnë që personat të vetë-izolohen dhe ata që kanë simptome të lajmërohen në klinikën infektive.
Në qendrën e thirrjeve deri më tani janë pranuar në total 2.112 thirrje, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë pranuar 727 thirrje telefonike.
COVID-19 për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar dhe është përhapur në të paktën 152 vende dhe territore. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli shpërthimin një pandemi.
Sipas faqes së internetit “Worldometer”, nga 186.500 raste të konfirmuara në mbarë botën numri i vdekjeve aktualisht tejkalon shifrën 7.400, ndërsa mbi 80.500 pacientë janë shëruar.
Numri aktual i rasteve aktive është mbi 98.600, 93 për qind e të cilëve janë në gjendje të qetë dhe 7 për qind në gjendje kritike.