Kosovë, presidentja Osmani cakton 18 dhjetorin për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 4 komunave në veri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar 18 dhjetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave, gjegjësisht Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Udhëzohet KQZ t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në përputhje me ketë vendim dhe ligjin në fuqi”, thuhet në vendimin e Presidentes Osmani për caktimin dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të vendit.

Pas takimit me përfaqësues të partive politike në Presidencë, Osmani ka potencuar se do t’i drejtojë një kërkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor.

Gjithashtu presidentja kosovare ka theksuar gjithashtu se institucionet e sigurisë do t’i ndërmarrin të gjitha masat në mënyrë që qytetarët pa dallim etnie, të ndihen të mbrojtur, të sigurt dhe t`i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese.

Osmani gjatë ditës siguroi qytetarët serb të Kosovës se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është detyrim kushtetues që ka lindur nga akti i dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave të veriut dhe “assesi nuk është çështje dëshirë dhe vendim që mund të ndryshohet sepse nuk ka rrugë tjetër”.

Më 5 dhe 6 nëntor zyrtarët e Listës Serbe dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë Qeverinë, Kuvendin, pozitat e kryetarëve të katër komunave me shumcicë serbe, policia, gjyqësori, prokuroria dhe administrata.

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës pasoi pas fillimit të zbatimit të marrëveshjes me tre faza të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale që qarkullojnë kryesisht në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës si dhe pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi zbatimin e vendimit të Qeverisë.