Kosovë, përfundon numërimi i votave të diasporës, nesër rezultatet përfundimtare

Nga votat e marra me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi 56.368 vota, ndërsa nga ky numër, deri në 44.252 vota janë fituar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila fitoi rreth 48 për qind të votave të fituara edhe brenda Kosovës

Mbrëmë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i votave të diasporës së Kosovës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga votat e marra me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi 56.368 vota, ndërsa nga ky numër, deri në 44.252 vota janë fituar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila fitoi rreth 48 për qind të votave të fituara edhe brenda Kosovës.

Nga votat nga jashtë, Partia Demokratike e Kosovës fitoi 5.321 vota, Lidhja Demokratike e Kosovës 4.287 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 1.112 vota.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha për mediat se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve rinumëroi votat nga 564 vendvotime dhe se janë numëruar më shumë se 32 mijë vota me kusht dhe më shumë se 57 mijë vota të marra me postë.

Elezi tha se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit do të shpallen nesër.

Publikimi i rezultateve përfundimtare pasohet nga një periudhë 24-orëshe për ankesa nga subjektet politike dhe kandidatët në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa, ndërsa më pas edhe nga mundësia e ankesave para Gjykatës Supreme të Kosovës.

Vetëm pas përfundimit të të gjitha afateve për ankesa dhe përgjigje, do të konfirmohen rezultatet përfundimtare, për të hapur rrugën për zgjedhjen e institucioneve të reja të Kosovës.