Kosovë, një viktimë dhe 26 të infektuar me COVID-19 në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës në raportin 24-orësh lidhur me rastet e reja të koronavirusit të ri (COVID-19) ka njoftuar se një person i infektuar me koronavirus ka vdekur, derisa numri i viktimave ka shkuar në 3.135, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 26 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 227.497.

Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 752 mostra të dyshuara për COVID-19 ndërsa deri më tani janë bërë gjithsej 1.799.157 teste.

Të dhënat e fundit kanë njoftuar për 40 persona që kanë fituar betejën me koronavirusin. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 223.786, ndërsa numri i rasteve aktive është 576.

Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 249 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.822.352 doza të vaksinës. Deri më sot 820.520 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.