Kosovë, nesër seancë e jashtëzakonshme për çështjen e kufirit me Serbinë

Deputetët e Kosovës nesër në seancë të jashtëzakonshme do të mbajnë debat parlamentar lidhur me angazhimin e presidentit për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" ose "korrigjimit të kufijve" në dialogun Kosovë-Serbi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nesër në seancë të jashtëzakonshme do të mbajnë debat parlamentar lidhur me angazhimin e presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” ose “korrigjimit të kufijve” në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Data për seancën e jashtëzakonshme e ka caktuar Kryesia e Kuvendit me kërkesë të opozitës, e cila kërkoi që debati të zhvillohet të martën, 4 shtator, para pjesëmarrjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, të cilin përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogerini si ndërmjetëse e caktoi për të enjten, më 7 shtator.

“Do ta kemi seancën e jashtëzakonshme nesër. Sa u përket komenteve politike, do t’i kemi nesër ato”, deklaroi shkurt kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, pas një takimi të Kryesisë së Kuvendit.

Ndërkaq, kreu i grupit parlamentar të partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur shpresën e tij se rezoluta e propozuar nga opozita do ta mbështesin të gjithë deputetët.

“Është informatë e mirë dhe qëndrim i mirë që u dërgohet miqve tanë ndërkombëtarë, që na kanë ndihmuar të vijmë deri në këtë pikë, për vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur përmes deputetëve, përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Kosovës dhe mbi të gjitha, është sinjal i qartë për presidentin e vendit se ai duhet të ndalet në veprimet e tij antikushtetuese për të rrënuar shtetin e Kosovës”, tha Hoti.

Hoti theksoi se në bazë të deklaratave publike, opozita ka mbështetjen e dy anëtarëve të koalicionit qeverisës, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, dhe i bëri thirrje Partisë Demokratike të Kosovës të bashkohen me ta.

Në të njëjtën kohë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, tha se është problematike fakti që presidenti i vendit përtej autoritetit të tij vazhdon aventurën e organizimit në Republikën e Kosovës që ajo po ndodh jashtë Kuvendit, edhe pse Kosova është republikë parlamentare.

“Besoj që rezoluta e cila do të prezantohet nesër do të ketë mjaftueshëm vota që të kalojë dhe është tepër me rëndësi që Kuvendit t’ia kthejmë dialogun. Besoj që ky është një hap i mirë përpara, por besoj që gjithashtu duhet të bëjmë edhe hapa të tjerë si opozitë që të sigurohemi që dialogu të kthehet në Kuvend”, tha Sejdiu.

Partitë opozitare parlamentare kanë paraqitur një kërkesë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend, duke deklaruar se presidenti i Kosovës ka shprehur publikisht angazhimin e tij që në dialogun me Serbinë të përfshijë edhe temën e shkëmbimit të territoreve, që është definuar nga presidenti si rishikim i kufirit, gjë që sipas tyre është në kundërshtim me kompetencat kushtetuese të presidentit.

Opozita në kërkesën e saj thekson se pas debatit parlamentar, Kuvendi do të miratojë një rezolutë, në të cilën do të shprehet qëndrimi se “territori i Republikës së Kosovës është i pandashëm dhe se asnjë president i Kosovës, e as dikush tjetër, nuk ka mandat për të negociuar për territorin e Republikës së Kosovës”.