Kosovë, kryeministri në detyrë Hoti takoi përfaqësuesin e lartë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Hoti ka falënderuar përfaqësuesin e BE-së për bashkëpunimin e deritanishëm në ndërmjetësimin e procesit të dialogut me Serbinë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit, Hoti ka falënderuar Lajçakun për bashkëpunimin e deritanishëm në ndërmjetësimin e procesit të dialogut me Serbinë dhe i ka dëshiruar atij sukses në finalizimin e këtij procesi.

Njoftimi thekson se kryeministri Hoti ka bërë që të rifillojë procesi i dialogut me Serbinë pas Samitit të Parisit, që u mbajt më 10 korrik 2020.

“Dialogu vazhdoi mbi tri parimet bazë: Do të diskutohet për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke, sovraniteti e integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pa negociueshëm, ndërsa Kushtetuta e Kosovës është e paprekshme”, përfundon njoftimi.

Lajçak i cili ka arritur në Kosovë nga 1 marsi, do të qëndrojë për vizitë zyrtare deri më 3 mars për t’u takuar me krerë të institucioneve, liderë politikë si dhe udhëheqës të institucioneve të BE-së në Kosovë.

Ardhja në Kosovë e Lajçakut është në kuadër të një vizite zyrtare të tij në Ballkanin Perëndimor. Pas Kosovës, ai do ta vazhdojë vizitën në Serbi në datat 3-4 mars dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi në datat 4-5 mars.