Kosovë, komuniteti boshnjak dhe ai rom me marsh protestues ndaj procesit zgjedhor

Në emër të protestuesve të komunitetit boshnjak, Xhuxheviq tha se me rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të pamundësohet përfaqësimi efektiv i komuniteteve joshumicë në Kuvend

Pjesëtarë të komunitetit boshnjak dhe atij rom kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës kundër siç e quajtën ata “uzurpimit të vendeve të rezervuara” në Kuvend, raporton Anadolu Agency (AA).

Marshi protestues me moton “Demokracia ka dështuar” u bë me qëllim që të shprehen pakënaqësitë e këtyre dy komuniteteve joshumicë në Kosovë rreth shkeljes së të drejtave të tyre ligjore për përfaqësim në vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

Në emër të protestuesve të komunitetit boshnjak, Osman Xhuxheviq tha se me rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të pamundësohet përfaqësimi efektiv i komuniteteve joshumicë në Kuvend.

“Uzurpimi vjen si pasojë e një procesi të manipulimit elektoral që e pamundëson përfaqësimin efektiv të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përmes këtij marshi protestues synojmë t’i shprehim pakënaqësitë tona si komunitet joshumicë dhe t’i mbrojmë të drejtat tona të garantuara me Kushtetutë”, tha Xhuxheviq.

Ai theksoi se Kushtetuta e Kosovës parashikon të drejtën e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë, mbrojtjen e identitetit të tyre dhe sigurimin e mbijetesës së tyre duke ruajtur diversitetin dhe multietnicitetin e popullit.

Xhuxheviq tha se do t’i përdorin të gjitha mekanizmat ligjorë për të ndaluar abuzimin me vendet e garantuara në Kuvend.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse dhe komunitetit ndërkombëtar të reagojnë dhe të sigurojnë zbatimin e parimeve kushtetuese në lidhje me të drejtat e komuniteteve jo-shumicë dhe përfaqësimin e tyre politik në parlament”, shtoi Xhuxheviq.

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane në Kosovë, Veton Berisha, i cili mori pjesë në këtë protestë, tha se protesta ishte një shprehje e pakënaqësisë midis anëtarëve të komuniteteve, ngase “ka një devijim të vullnetit të qytetarëve”.

“Jemi dëshmitarë të ngjarjes së fundit ku është cenuar demokracia dhe ne po i kontestojmë votat të cilat janë të votuara nga komunitet tjetër për përfaqësues të komuniteteve tjera. Dhe, kjo është e rrezikshme për Kosovën dhe presim që institucionet të ndërmarrin veprimet e nevojshme. Ta konstatojnë situatën të cilën ne po e pretendojmë dhe të merret një vendim”, theksoi Berisha.

Që nga shpallja e rezultateve preliminare të procesit zgjedhor të 14 shkurtit, pjesëtarë të këtyre dy komuniteteve kanë ngritur shqetësim se partia serbe Lista Serbe ka bashkëpunuar me dy përfaqësues të iniciativave nga këto dy komunitete.

Nisma “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq (UZ-AH)” e udhëhequr nga Adrijana Hoxhiq dhe subjekti rom Iniciativa Rome me kandidatin Gazmend Salijevic, të cilat u formuan pak para zgjedhjeve fituan më së shumti vota midis subjekteve tjera politike në komunitetet e tyre.

Boshnjakët dhe romët që morën pjesë në këtë protestë e kanë parë fitoren e këtyre dy subjekteve si plan të Listës Serbe me votat e komunitetit serb në Kosovë me qëllim të përforcimit politik të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.